Deklarata e fortë e shkrimtarit të njohur: Rama ndjehet mirë kur vjen Vuçiçi në Tiranë, jo kur vjen Vjosa Osmani

Serbia North Macedonia Albania

Analisti dhe shkrimtari Kim Mehmeti, në analizën e fundjavës në SYRI TV, komentoi vizitën në Tiranë të presidentes në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se vazhdimisht Tirana zyrtare është kujdesur më shumë që të mos i mbetet hatri Beogradit, sesa Prishtinës.

“Dihet se Piktori e përkrah projektin serb të Minishengenit dhe shkëmbimin e territorit, kurse Prishtina e zonjës Osmani i kundërshton këto projekte. Piktori është inferior ndaj Beogradit”.

“Rama ndjehet më mirë kur i vjen në Tiranë Vuçiçi, sesa kur i vjen Osmani,” tha Mehmeti.

Sipas tij, është skandaloze që parlamenti i Shqipërisë nuk e miraton një rezolutë kundër gjenocidit serb.

“Atë rezolutë duhej ta sillte se pari parlamenti i Shqipërisë, pasi është ombrella e shqiptarisë. Nuk duhet ta lusë Prishtina Tiranën që të sjellë këtë rezolutë. Kjo rezolutë nuk është as kundër BE dhe SHBA, sepse Perëndimi e mbështeti luftën kundër gjenocidit serb.

Askund në botë nuk do të kishte mundur një politikan të bëjë dy ditë në pushtet pas kësaj. Por te ne mundet, pasi shqiptarët pak brengosen për atë që ndodh. Kjo sepse shqiptarët më shumë brengosen se si të largohen dhe të ikin nga ajo gropë që quhet Shqipëri. Fjalimi i Vjosa Osmanit ishte dinjitoz. Zonja Osmani është krenaria e politikës shqiptare,” tha Mehmeti.