Tjetër vrasje në gjueti, kur u ngjitën në mal dy të rinjtë dhe të shtënat fatale…

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e të riut Gentian Kosiqi, gjatë ditës së sotme në fshatin Maqellarë të Dibrës, i cili sipas raportimeve paraprake të policisë u qëllua në gjueti nga shoku i tij, 18 vjeçari, Rifat Xheleshi.

Sipas burimeve familjare, dy të rinjtë ishin shokë dhe sot nuk ishte hera e parë që dilnin për gjah.

Ata janë parë për herë të fundit ditën e sotme në qendër të fshatit rreth orës 11:00.

Vetëm pak orë me vonë, ata janë ngjitur në malin e Maqellarës, aty ku gjatë gjuetisë 27 vjeçari është qëlluar aksidentalisht nga 18 vjeçari, për të ndërruar jetë më pas në spital.

Ka qenë vetë autori, Rifat Xheleshi, i cili ka njoftuar banorët e fshatit.

Këta të fundit i kanë shkuar në ndihmë, por terreni i vështirë, ka vonuar zbritjen e të plagosurit.

Viktima mësohet se ka humbur shumë gjaku, dhe për pasojë u nda nga jeta në spital.