Ja kush po pasurohet nga pandemia, çmimi i tamponit dyfish më i lartë se vendet e rajonit

Autoriteti i Konkurrencës nuk reagon ndaj marrëveshjes së katër laboratorëve privatë për të fiksuar çmimin e analizës PCR (tamponit) për diagnostikimin e Covid-19.

Ky institucion nuk i ka dhënë asnjë përgjigje kërkesave të përsëritura të revistës “Monitor” prej më shumë se 20 ditësh për informacion lidhur me qëndrimin për çështjen në fjalë.

Ligji Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” përcakton se Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj. Ligji parashikon edhe raste kur e drejta e informimit kufizohet, por Autoriteti i Konkurrencës deri tani nuk na ka dhënë qoftë edhe një përgjigje refuzuese me argumentim për mosdhënien e informacionit ose mosprononcimit për kërkesën e paraqitur.

Megjithëse institucionet shqiptare kanë një punonjës që, veç të tjerash, paguhet edhe si koordinator për të drejtën e informimit, ndodh shpesh që kërkesat për informacion të mos marrin asnjë përgjigje, qoftë edhe refuzuese.

Në muajin nëntor, katër laboratorët privatë që ofrojnë analizën PCR (ose siç njihet më thjesht testin e tamponit) për diagnostifikimin e Covid-19 njoftuan publikisht arritjen e një marrëveshjeje për uljen e çmimit nga 12 mijë lekë në 8500 lekë. Kompanitë Intermedica, Genius, Spitali Amerikan dhe Noval Diagnostic u shprehën përmes një deklarate se ky vendim është marrë për shkak të shtimit të rasteve pozitive me koronavirus, por edhe si kërkesë e vazhdueshme e Ministrisë së Shëndetesisë.

Marrëveshja që u shpall si një ndihmë për publikun dhe pacientët, ka të gjitha tiparet e shkeljes së ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Neni 4 i ligjit, në pikën a, përcakton se “Ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.”

Testi PCR ofrohet nga një numër i kufizuar subjektesh dhe çmimet kanë qenë të fiksuara që në fillimin e ofrimit të tij prej subjekteve private. Megjithëse ato u ulën me marrëveshje me rreth 30%, nga vlerësimet krahasuese, Shqipëria ka ende çmime të testit PCR më të larta se vendet e rajonit. Nëse sot kryerja e tamponi në laboratorët private kushton rreth 70 euro, në vendet fqinje përgjithësisht ky testim kryhet kundrejt çmimeve në intervalin midis 40 dhe 60 euro.

Në muajin tetor, Autoriteti i Konkurrencës gjobiti 24 kompani të tregtimit me shumicë dhe pakicë të materialeve paramjekësore, për rritje të bashkërenduar të çmimeve të maskave, dorezave dhe dezinfektantëve. Vlera totale e gjobave ishte 34 milionë lekë, ose rreth 280 mijë euro.