Dokumenti i KQZ, çfarë pritet të ndodhë me Ramën pas 25 dhjetorit

Prerja e shiritëve, prezantimi i projekteve, dhurimi i çelësave të shtëpive dhe shpërndarja e lejeve të legalizimeve nuk duhet të ndodhin më pas 25 dhjetorit.

Sipas një dokumenti të përgatitur nga KQZ, këto aktivitete konsiderohen si një abuzim i partisë në pushtet me burimet shtetërore në funksion të zgjedhjeve.

Kufizimi i qeverisë 4 muaj përpara zgjedhjeve u vendos në Kodin Zgjedhor gjatë negociatave në Këshillin Politik. Në zbatim të tij, KQZ ka shkruar këto specifikime, ku tregon zyrtarët e lartë të cilëve ju lejohen disa aktivitete.

Lista përfshin: kryeministrin, Zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat, kryetarët dhe nënkryetarët e bashkive, drejtorët e përgjithshëm të agjencive, apo shoqërive si: OSHEE, Ujësjellës, Posta, etj.

Këta zyrtarë ndalohet të organizojnë apo të marrin pjesë në aktivitete ku priten shirita elektoralë apo prezantohen projekte të investimeve në fushën e transporteve, energjisë, mjedisit, shëndetësisë, kulturës dhe arsim.

Gjithashtu ndalohet të reklamohen objekte të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore, sic mund të jenë shtëpitë apo shkollat e ringritura pas tërmetit.

Ndalohet po ashtu shpërndarja në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, një sport i preferuar i të gjithë politikanëve.

Qeverisë i ndalohet të marrë vendime për rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, të dhëna që mund të joshin elektoratin.

Qeveria do të vazhdojë të funksionojë, por për co aktivitet, cdo institucion duhet të njoftojë KQZ-në 5 ditë përpara. Nëse Celibashi do ti vlerësojë si të ndaluara, ato duhet të anulohen dhe nuk lejohet transmetimi i tyre në media.

Në dokumentin e hartuar nga zyra e Ilirjan Celibashit ka penalitete për zyrtarët, partitë dhe kandidatët që nuk i zbatojnë këto rregulla, gjoba të cilat shkojnë nga 10 000- 500 000 lekë të reja.

Por që ky dokument të zbatohet, duhet që të miratohet në Komisionin Rregullator në KQZ, aty ku partia në pushtet ka shumicën e anëtarëve. ABC ka mësuar paraprakisht, se Partia Socialiste kundërshton pjesën më të madhe të këtyre kufizimeve dhe do të kërkojë në KQZ tërheqjen e tyre.

ZYRTARËT QË JU NDALOHEN AKTIVITETET
Kryeministri; Zëvendëskryeministri; Ministrat; Zëvendësministrat; Kryetarët e bashkive; Zv.kryebashkiakët; Drejtorët e përgjithshëm të agjencive; Drejtorët e sh.a (OSHEE, Ujësjellësat, Posta, etj)

AKTIVITETET QË NDALOHEN:

promovimin e projekteve dhe/ose të investimeve në transporte, energji, mjedis, shëndetësi, kulturës dhe arsim; promovimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore; shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve; rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve.

GJOBAT PËR SHKELËSIT
Kush nuk raporton aktivitetet në KQZ 10 000- 50 000 lekë; Titullarët që pengojnë raportimin 10 000- 50 000 lekë; Partitë/kandidatët që përsërisin shkeljen 100 000 – 500 000 lekë/ ABCNews