Vjosa Osmani: Minishengeni dëmton Kosovën dhe Shqipërinë! Ja kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe përsëris të njëjtin qëndrim…

Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës Vjosa Osmani ka qenë e prerë, e qartë dhe me një qëndrim të pandryshuar sa i përket minishengenit, ose ndryshe shengenit rajonal, një iniciativë që shkon para mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Osmani tha gjatë konferencës për mediat me Presidentin e Republikës Ilir Meta se ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë.

Ajo tha se do kërkoj të ketë dokumentin pasi vetëm flitet por nuk ka asnjë dokument që tregon se çfarë është ky minishengen.

Osmani theksoi më tej se ka iniciativa të tjera që përkundër mbështetjes së madhe ndërkombëtare, Serbia nuk i ka zbatuar. Sipas saj, e mira do ishte të shkrihej në iniciativat e tjera.

“Sa i përket minishengenit kam akoma të njëjtin qëndrim. Ia kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe do ta përsëris të njëjtën gjë dhe nesër. Ka shumë argumente mbi bazën e të cilëve kemi ndërtuar atë qëndrim. Ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë. Fatkeqësisht ai e bindi kryeministrin Hoti që ta nënshkruajë. Ajo çka do kërkoj është ta kemi dokumentin. Ne vetëm flasim, por nuk kemi asnjë dokument se çfarë është ky minishengen. Mendoj që nga fillimi është gabim. Kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova. Presidenca nuk është njoftuar se çka zyrtarisht e ka qëllimin. Kemi iniciativa të tjera që përkundër mbështetjes së madhe ndërkombëtare, Serbia nuk i ka zbatuar. Mund të duket si një iniciativë që ka qëllimin e njëjtë por e mira do ishte të shkrihej në iniciativat e tjera.

Kemi treguar dhe ofruar dorën e bashkëpunimit për gjithë rajonin, përfshirë Serbinë që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. ne kërkojmë përfshirje të barabartë. Ajo çka kemi dëgjuar nga mediat për minishengenin, në masë të madhe i shkojnë në leverdi Serbisë se sa Kosovës e Shqipërisë”, deklaroi Osmani.