Meta dënon dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe paralajmëron Ramën: Kur të ketë manifestim nga unë, do jetë…!

Presidenti i vendit Ilir Meta ka mbajtur një konferencë për mediat në Tiranë, ku ka pritur kryetaren e shtetit të Kosovës Vjosa Osmanin.

Meta u pyet nëse ka qenë nxitës i protestave të fundit të mbajtura në Tiranë, pas vrasjes nga policia të të riut Klodian Rasha. Kreu i shtetit u përgjigj se, shqiptarët nuk kanë president një tinzar, ndërsa dënoi dhunën e policisë ndaj njerëzve të medias.

“Qytetarët e Shqipërisë e dinë shumë mirë se nuk kanë në krye të shtetit një tinzar dhe as palaço. Kanë një president që kur e thotë një fjalë, e çon deri në fund. Ka bërë manifestim me mimoza, model. Presidenti i ka bërë një thirrje popullit dhe populli ka qenë aty. Kreu i shtetit nuk merret me maskarada të tilla. Bashkohem me organizatat e huaja që dënojnë dhunën dhe intimidimin, madje edhe ndaj mediave”, tha Meta.

Më tej, Meta theksoi se në rast se do ketë një tjetër manifestim të thirrur nga presidenti, ai do jetë i fundit dhe do t’i japë fund regjimit të dhunës.

“Organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim për dhunën ndaj të miturve. Nëse do ketë manifestim nga presidenti, do jetë manifestimi i fundit kundër dhunës, për t’i dhënë fund regjimit të dhunshëm ndaj të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Buxheti duhet të reflektohet, sepse është katastrofike.

Nuk mbështeten me buxhetin e ri as qytetarët, as bizneset. Mos harrojmë se më shumë se 50 mijë qytetarë kanë humbur punën gjatë pandemisë dhe të mos ikin edhe këta. Duhet të mos dyfishohen pagesat ndaj koncesioneve. Qeveria të reflektojë, që të zbutet frustrimi i shoqëror, sepse nuk i shërben stabilitetit të vendit”, deklaroi Meta.