Regjisori i “Portokallisë” prezantohet si i Teatrit Eksperimental, flet Kiço Londo: Më kanë larguar nga shtëpia ime

Regjisori i “Portokallisë”, Altin Basha është prezantuar sot si Drejtori i ri i Teatrit Eksperimental. Në marrjen e postit të tij ka qenë prezent ish-drejtori Kiço Londo dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Londo e komenton lënien e postit të drejtorit të teatrit Eksperimental sikur të ishte një largim nga shtëpia e tij, ku shton se nuk ka qenë ndonjëherë drejtor dhe se ka pasur një marrëdhëmnie shumë të afërt me artistët.

“Ndihem i trishtuar dhe i keqardhur që më duhet të largohem, ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime, kemi ndërtuar 10 salla në kryeqytet por kjo është ajo që më dhemb më shumë sepse kemi bërë një transformim të madh. Unë nuk jam drejtor nuk kam qenë sepse drejtorët nuk janë si unë.

Dua të falenderoj artistët dhe publikun e të gjithë ata që më zgjatën dorën në këtë transformim të Teatrit Eksperimental. Dua të falënderoj median që na ka mbështetur dhe ka vënë re kritikat lidhur me problematikat që kemi pasur”, tha ish-drejtori i Teatrit Eksperimental

Ndërkohë Drejtori i ri i Teatrit Eksperimental, Altin Basha shprehet se ka punuar me artisët të rinj dhe se ka një farë eksperience në këtë fushë.

“Është pozicion ku kam një farë eksperience. Kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar ky është elementi që më bëri të merrja pjesë në konkurs”, është shpreur ndër të tjera Altin Basha.