Ballina Aktualitet Prokuroria manipulon provat e vrasjes së Klodian Rashës: Nuk është dhunuar, ndryshon...

Prokuroria manipulon provat e vrasjes së Klodian Rashës: Nuk është dhunuar, ndryshon akuza për policin

Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje në lidhje me hetimet që po bëhen për vrasjen e Klodjan Rashës nga oficeri i policisë, Nevaldo Hajdaraj.

Në një njoftim zyrtar për media, prokuroria thotë se mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer.

Por prokuroria hedh poshtë pretendimet se Klodian Rasha është dhunuar para se të vritej nga polici Nevaldo Hajdaraj. Nderkohe, bababi i Klodianit u shpreh sot per mediat se ka videon qe tregon se djali eshte dhunuar nga policia para se te vritje.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Duke marrë shkak nga vëmendja e opinionit publik, me qëllim informimin sa më të plotë, në lidhje me ecurinë e hetimeve që ka të bëjë me ngjarjen e datës 08.12.2020, që lidhet me vrasjen e shtetasit Klodian Rasha nga punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj, si dhe duke respektuar dispozitat e Kodit te Procedurës Penale në lidhje me sjelljen e subjekteve proceduriale penale në raport me kryerjen e një vepre penale, Ju informojmë sa më poshte:

Që nga momenti i parë, veprimet hetimore janë kryer në kontrollin e Prokurorisë, sipas normave procedurale. Është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga shërbimet e policisë gjyqësore të strukturave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria, Tirane, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles se Pare, Tiranë, të cilët menjeherë pas njoftimit për ngjarjen e sipërcituar kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes si dhe në ditët në vijim kanë realizuar veprimet e para hetimore të domosdoshme dhe të nevojshme, që kanë të bëjnë me këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, pyetje të shtetasve të ndryshëm, marrjen dhe ekzaminimin e pamjeve filmike, si dhe veprime qe kanë të bëjnë me identifikimin e mekanizimit te ngjarjes dhe të veprimeve të kryera nga subjektet proceduriale, autori i veprës penale, viktima si dhe subjekte te tjera.

Pas ngjarjes së ndodhur, dhe deri tani, janë realizuar një sërë veprimesh hetimore, shteruese, ezauruese, efikase, te pandikuara dhe pa pjesëmarrjen në kryerjen e këtyre veprimeve të shërbimeve të strukturave të Policisë së Shtetit, me qëllimin e vetem, identifikimin sa më të plotë, shkencor dhe teknik të mekanizimit të ngjarjes si dhe të identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit të ngjarjes.

Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer.

Nisur nga reagime të ndryshme, në mediat audio-vizive dhe ato të shkruara, në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me arme zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, duke respektuar dispozitat e Kodit te Procedures Penale për sekretin hetimor, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka patur përdorim dhune.

Grupi hetimor, krahas hetimit në lidhje me identifikimin e mekanizimit të ngjarjes si dhe të përgjegjësise ligjore te autorit të ngjarjes, ka kryer dhe është në vijim të kryerjes të veprimeve hetimore qe kane per objekt identifikimin e autorësisë të armës te zjarrit të gjetur në Rrugen ‘At Zef Valentini’, si dhe mekanizimit te rrethanave te gjetjes së saj.

Jemi në rang të kryerjes së veprimeve të plota hetimore, dhe garantojmë opinionin publik për pavarësinë e tyre, në respektim të plotë të normave procedurale në fuqi.

Shprehim gadishmërinë tonë në përmbushjen e detyrave kushtetuese, duke i kërkuar opinionit publik, medias vizive dhe asaj të shkruar, dhe vëçanërisht familjarëve të të ndjerit Klodian Rasha, besim të plotë në një hetim objektiv dhe të shpejtë, me qëllim vënien në përgjegjësinë e duhur penale të autorit dhë dënimin e tij sipas ligjit.

Tiranë me 15.12.2020

Exit mobile version