Malaj paralajmërim dramatik Ramës për një fund si të Çausheskut

Arben MALAJ

“Mund të ndodhë që të gjithë diktatorët e tmerrshëm janë artistë të irrituar. Mao me poezinë e tij dhe Musolini me monumentet e tij. Stalini dikur ishte gazetar sharlatan. Pol Pot la pas një koleksion shumë të mërzitshëm fotografish. Dhe Osama duket mjaft i interesuar për video”. P. J. O’Rourke- gazetar dhe humorist politik.

Në kujtimet e saj, Condolezza Rice, ishsekretare e SHBA-ve (2005-2009) gjatë Presidentit George W. Bush, duke folur për domosdoshmërinë e vrasjes së frikës për të rrëzuar diktatorët, sjell një episod nga manifestimi i fundit i Çausheskut. Rënia e Murit të Berlinit, në 3 tetor 1989, ishte pika e ndryshimit për Europën Lindore. Vala e ndryshimit do të përhapej shumë shpejt. Por Çaushkesku, ishPresident i Rumanisë gjatë komunizmit, kërkonte të rezistonte me marrëzinë e tij.

Për të treguar madhështinë dhe forcën ndaj Perëndimit, si çdo diktator i marrë, ai organizoi në një nga mitingjet më të mëdha popullore pro tij, edhe pse rumunët ishin ndër popujt më të varfër të Europës Lindore. Por ky miting “madhështor” solli fundin tragjik të Çausheskut. Sipas Condolezza Rice, pikërisht në këtë miting, një grua e moshuar diku në një vend spontan të turmës, që në kohën kur Çaushesku mburrej me sukseset e tij dhe kërcënonte Perëndimin, ajo guxoi dhe tha: Gënjeshtar!

Pas disa sekondave, me shpejtësinë e një orteku popullor ky zë u forcua nga 10 në 1000 veta, 10.000 veta, 100.000 mijë deri sa e gjithë turma po protestonte dhunshëm. Mitingu i lavdisë u kthye në varrin politik të Çausheskut dhe në fundin tragjik të çiftit presidencial. Ata u arratisën me një avion ushtarak, i cili u detyrua të ulej në Targoviste të Rumanisë. Në 22 dhjetor 1989, një gjyq i shpejtë ushtarak e dënoi çiftin presidencial me vdekje. Ekzekutimi i tyre fatkeqësisht u bë në mënyrë barbare.

Mungesa e kurajës publike është sot një nga shqetësimet më të mëdha përballë ringjalljes së liderëve arrogantë dhe të babëzitur që po përqendrojnë pushtet politik dhe ekonomik në pak duar, duke rritur pabarazinë dhe duke varfëruar në çdo aspekt popujt e vendeve të tyre.

Varfërimi po përkeqësohet nga: cenimi i lirive politike dhe ekonomike; reduktimi i barazisë së mundësive; rritja e pabarazisë; rritja e papunësisë; eliminimi i konkurrencës së lirë; reduktimi i mundësive për promovim dhe sukses etj. Edhe Covid-19 solli rritje të varfërisë dhe ka rritur riskun për shfaqjen dhe rishfaqen e autokratëve dhe neodiktatorëve.

Por në vend që liderët politikë të angazhohen për të rritur liritë ekonomike e politike, rritjen e barazisë së mundësive dhe shpërndarjen më të drejtë të përfitimeve ekonomike, ata shpesh janë viktima të instinkteve për pushtet absolut, që i korrupton edhe ata vetë në mënyrë absolute.

Po pse po rriten protesta dhe përse liderët autotarianë dhe neodiktatorialë duhet të kuptojmë se ato nuk përballohen me dhunë policore, por me politika sociale dhe ekonomike që reduktojnë rrënjët e tyre.

Një raport nga qendra e Universitetit të Kembrixhit për Ardhmërinë e Demokracisë, zbuloi se mijëvjeçarët, brezi i lindur midis 1981 dhe 1996, janë më pak të kënaqur me demokracinë sesa çdo grupmoshë tjetër. Nga një sondazh i bërë me rreth 5 milionë qytetarë në 160 vende të botës, për perceptimet e tyre për demokracinë në periudhën 1973-2020 konstatohet se 18 dhe 34-vjeçarët janë gjenerata më pak e kënaqur me demokracinë sesa prindërit ose gjyshërit e tyre ishin në të njëjtën moshë. Në rrënjët e kësaj pakënaqësie të tyre qëndron përjashtimi ekonomik, një fenomen që vështirëson perspektivën e tyre. Mijëvjeçarët kanë humbur besimin në demokraci shumë më shpejt sesa brezat e vjetër.

Kur boomers në vitet ‘90 ishin 35 vjeç, ata zotëronin rreth 21% të pasurisë kombëtare. Ndërsa kur gjenerata X ishte në moshën 35 vjeç në 2008, pra, rreth 20 vite më vonë, ata zotëronin vetëm 9 % të pasurisë kombëtare. Kjo ulje e peshës së tyre në pasurinë kombëtare flet për një polarizim të skajshëm të shoqërisë, polarizim që ushqen zhgënjimin ndaj demokracisë. Një nga format më agresive që qeverisjet arrogante dhe të babëzitura “vrasin” popujt e vendeve të tyre është shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave ekonomike dhe cenimi i lirive politike dhe ekonomike.

Dr. Roberto Foa, autori kryesor i studimit të Universitetit të Kembrixhit, tha se vendet me pasuri të shpërndara në mënyrë të barabartë nëpër breza tregojnë vetëm ndryshime të vogla në qëndrimet ndaj demokracisë. Ndërsa në vendet ku hendeku i pabarazisë thellohet, zhgënjimet janë më të mëdha. Sot, gjenerata e re janë të zhgënjyera nga demokracia, sepse përballen me katër sfida të rënda për të ardhmen e tyre, që janë: (i) barra e borxheve të mëdha; (ii) shanset më të pakta për të pasur një shtëpi; (iii) sfida më të mëdha në krijimin e një familje dhe (iv) vështirësi për sukses, edhe pse mund të jenë të talentuar dhe të punojnë shumë, nëse nuk kanë një mbështetje nepotike.

Studiuesit vlerësojnë se në demokracitë në zhvillim po vepron “lodhja në tranzicion”. Pas rreth 30 viteve në demokraci hibride, brezat e rinj nuk mbajnë mend më diktaturat e vjetra, apo betejat e bëra nga prindërit e tyre për liritë politike.

Jo rastësisht, ish-Sekretarja e Shtetit, me kontribut të jashtëzakonshëm pozitiv në perspektivën e Ballkanit pas viteve ‘90, Madeleine Albright, vetëm pak ditë më parë shprehu shqetësimin se Ballkani është i rrezikuar nga rritja kërcënuese e korrupsionit. Pak kohë më parë, studiues të gjeopolitikës qartësonin se arma kryesore gjeopolitike e Moskës në Ballkan është korruptimi i liderëve të këtyre vendeve. Korrupsioni dhe kapja e shtetit i bëri vendet e Ballkanit Perëndimore të paqëndrueshme. Kjo nënkupton se vendet e Ballkanit janë lehtësisht të influencueshme apo të keqpërdorueshme në influencat dhe ballafaqimet gjeopolitike.

E përbashkëta e parë e këtyre liderëve ballkanikë është se pushteti i tyre karakterizohet nga arroganca, babëzia, pangopësia dhe arrogancae tyre. Këta liderë me tendenca deri neodiktatoriale mendojnë se s’ka asnjë forcë në botë që i “shkul” nga pushteti. Çausheskun e “shkuli” nga pushteti në kulmin e madhështisë të tij një grua e moshuar, që guxoi dhe tha i “Ju jeni gënjeshtar”.