Liria dhe kthimi i shpresës

Bujar LESKAJ

8 Dhjetori, Dita e Rinisë përfaqëson edhe Ditën e Lirisë për të gjithë shqiptarët, ndoshta e ngjashme me 28 Nëntorin, ditën e madhe të lirisë kombëtare në raport me historinë tonë.

Studentët në dhjetorin e 1990-ës, ndërmjet Lirisë dhe Tiranisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë, si pasurinë më të madhe të Njerëzimit dhe shoqërisë moderne. Liria nuk implementohet në mënyrë mekanike, ajo ndërtohet. Studentët e dhjetorit 90-të ishin nismëtarët e saj të parë, duke gjeneruar heronjtë e e mëdhenj të Lëvizjes për Liri e Demokraci, si Arben Broci, Azem Hajdari, etj.

Mposhtja e frikës dhe sfida që studentët shqiptarë i bënë sistemit diktatorial komunist gati 50 vjeçar shënuan atë moment të madh të ndërgjegjësimit të kombit tonë për të shkuarën e vet, por mbi të gjitha për të ardhmen e tij.

Bijë e Lëvizjes së Dhjetorit 90-të u bë Partia Demokratike, Partia e Dhjetorit, e cila thirrjet e studentëve “E DUAM SHQIPERINE SI GJITHE EVROPA!” i bëri program për të ndërtuar marrëdhënien e re të vendit me të ardhmen evropiane.

Studentët në dhjetorin e 1990-ës zgjodhën lirinë. Tani, pas 25 prillit 2021, studentët e sotëm do të kenë mundësinë të zgjedhin rrugën e jetës mes ofertave më të mira për punë, që do t’ua mundësojë një qeverisje e përkushtuar dhe e fokusuar tek ata.

Gjithshka ka të bëjë me idealin qeverisës. Partia Demokratike është e përkushtuar të sigurojë një të ardhme të qartë për të rinjtë në vendin e tyre. Forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, ka një program të plotë për krijimin e lehtësirave me politika fiskale nga shkolla tek tregu i punës për grupmoshat 18-20 vjeç, për vendosjen e sistemit të meritës.

Sa qindra mijëra prindër sot janë të etur për të parë dhe përqafuar fëmijët e tyre, të ndodhur larg në shtetet e tjera në Evropë dhe në botë? Sa dhjetëra mijëra prindër të tjerë rrinë me zemër të dredhur, pse tetë ndër dhjetë fëmijët e tyre dëshirojnë vetëm të largohen një orë e më parë nga Shqipëria?

Jo pse nuk e duan vendin e tyre. Jo se nuk kanë menduar të ndërtojnë të ardhmen pranë shokëve, shoqeve, miqve dhe prindërve këtu. Jo se nuk kanë shpresuar, ndoshta dhe me muaj e vite të tëra, për një shans, një mundësi punësimi, që nuk e kanë gjetur në atdhe. Me rezultate të shkëlqyera në studime brenda dhe jashtë vendit, kanë aplikuar pafund, të ndodhur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për një vend të ri pune në administratë në vendin e tyre. Kanë pësuar një zhgënjim të thellë, ndoshta më të hidhurin e jetës së tyre të re, kur u janë mbyllur brutalisht dyert, nga makutëria dhe nepotizmi i burokratëve shtetërorë, mes zhurmës dhe fanfarave butaforike të gjoja pritjes me krahë hapur në administratë të studentëve të ekselencës.

Mungesa, gati vrasja përfundimtare e shpresës ka bërë që emigracioni në Shqipëri të rritet 3-4 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Ballkanit. Mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës janë shkaku kryesor i largimit të më shumë se 315 mijë të rinjve në tetë vitet e fundit. Është sikur qarqet e Vlorës dhe të Kukësit të boshatisen brenda një nate dhe të kenë zero banorë!

Të rinjtë përbëjnë 45 përqind e fuqisë punëtore të vendit, por sot tre në pesë prej tyre jetojnë të papunë. Edhe pse kanë arsimin e duhur dhe motivimin për të filluar sa më shpejt. Sot kemi realitetin më të hidhur dhe dështimin më të pagojë të investimit tek të rinjtë, me 74.8 përqind të grupmoshave 19-27 vjeç që duan të emigrojnë, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.

Partia Demokratike ka vendosur në krye të prioriteteve të saj për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria. Prioritet absolut është gjenerimi i vendeve të reja të punës, punësimi nëpërmjet investimeve të Shtetit në sektorët që e kthejnë menjëherë këtë investim, si në turizëm, agro-përpunim, agro-turizëm, energji të rinovueshme dhe teknologji e informacionit.

Programet dhe projektet e reja për investime nga Buxheti i Shtetit, në bashkëpunim me fondet e donatorëve, do të përparësojnë në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre seicilit prej të 315 mijë të rinjve që u detyruan të braktisin atdheun nga mungesa e perspektivës dhe e shpresës në tetë vitet e fundit.

Partia Demokratike do të synojë me të gjithë forcën e vizionit dhe idealit të saj mbylljen e plagës së emigracionit, në rradhë të parë tek të rinjtë. Qeveria e ardhshme e saj do të sillet ndaj të rinjve me të njëjtin përkushtim e përgjegjësi, siç sillen prindërit ndaj fëmijëve të tyre.

Vetëm përkushtimi absolut çdo ditë, çdo orë, vetëm përqëndrimi i fondeve publike tek programet dhe projektet për hapjen e vendeve të reja të punës në sektorë konkurrues e prioritarë për ekonominë tonë, do të ngjallë dhe kthejë shpresën tek të rinjtë tanë, si dhe besim tek investitorët vendas dhe të huaj. Kriza, në rradhë të parë ajo e besimit, do të ndalojë dhe vendi do të kthehet në një cikël pozitiviteti për të gjithë. Të parët që do të përqafojnë shpresën dhe pozitivitetin do të jenë të rinjtë, duke rikthyer shikimin dhe planet e tyre në Shqipëri.

Programi ekonomik i Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme parashikon paketa konkrete fiskale për të nxitur qëndrimin e të rinjve nëpërmjet investimeve, mbështetjes së start-up-eve të tyre, një arsimi me formim profesional dhe të lidhur ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe të sektorëve lider të ekonomisë shqiptare.

Partia Demokratike do të ketë lightmotiv të saj në çdo masë për ekonominë frenimin e emigracionit rinor dhe boshatisjes së vendit, nëpërmjet nxitjes me çdo masë e mjet të punësimit rinor. Ky punësim do të nxitet si me politika të qarta, ashtu dhe me fondet e duhura në agroturizëm, agro-përpunim, industri të lehtë me cikël të mbyllur “Made in Albania”, shërbime dhe projekte e sipërmarrje IT të të rinjve.

Studentët në dhjetorin e 1990, ndërmjet lirisë dhe diturisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë sepse liria është pasuria më e madhe e shoqërisë moderne. Sot të rinjtë duhet të kenë shanset për të zgjedhur punësimin dhe të ardhmen e tyre në atdhe. Partia Demokratike ka vullnetin, energjitë, vizionin dhe programin e duhur për t’ia siguruar këtë të ardhme të rinjve tanë.