Heronj që vdesin, shtet që bën sehir!

Nga Erion DASHO

Vdekjet midis mjekëve që po raportohen me një rregullsi të frikshme nuk mund të kalohen me statuset e pikëlluara të familjarëve, kolegëve dhe pacientëve që shpesh u detyrojnë jetën apo shëndetin mjekëve të ndjerë!

Aq më tepër, nuk mund të kalohen këto vdekje me statuset e ministrisë apo ministres së shëndetësisë (“nderim” të cilin çuditërisht jo të gjithë mjekët e kanë “merituar”).

Këto vdekje shtrojnë disa pyetje të cilat kanë qarkulluar prej kohësh dhe tashmë kur numri i humbjeve të jetëve midis kolegëve po kap 30-ën kërkojnë përgjigje të menjëhershme:

A është marrë ndonjëherë seriozisht nga ministria mbrojtja në punë e mjekëve?

A është kuptuar më në fund se parandalimi i transmetimit të COVID në spitale dhe qendra shëndetësore është detyrim i shtetit pasi mbron si mjekët ashtu edhe pacientët?

A ka ndonjë shans që edhe Shqipëria të ketë si gjithë bota e qytetëruar institucione shëndetësore të sigurt lidhur me COVID?

A është e vërtetë se maskat, aq të domosdoshme në mjediset ku ofrohet kujdes shëndetësor, jepen akoma me pikatore?

A ka ndonjë plan ministria të nisë testimin e rregullt të personelit mjeksor, sidomos tani kur erdhën edhe testet e shpejta antigjenike?

A i ofrohet falas testi i shpejtë i antitrupave kolegëve apo duhet të paguajnë nga xhepi 4 mijë lekë në sektorin privat (kosto e testit është më pak se 5 euro)?

A është menduar për të shumëpërfolurin sigurim të jetës së mjekëve?

A është menduar për një dëmshpërblim financiar dhe më pas pension special për familjet e mjekëve që humbën jetën në detyrë?

Përgjigjet për këto pyetje dhe, mbi të gjitha, marrja e masave reflektuese ndaj tyre është detyrim! Përndryshe mos i quani më mjekët “heronj”! “Heronjtë” nuk nisen për “luftë” me pushkë me gjalmë…