Gazeta e madhe spanjolle: Spanja të mbajë shënime, ky është shqiptari spektakolar

Kombëtarja e Spanjës duhet të nxjerrë shënime për talentin e Arbër Zenelit dhe kërcënimin që përbën për të në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, këshillon gazeta e madhe spanjoll MARCA.

Zeneli e shënoi mbase golin më të mirë dhe më spektakolar në karrierën e vet, kur u fut në lojë nga stoli gjysmë ore para fundit dhe realizoi direkt nga goditja e këndit në humbjen e Stade de Reims kundër Stade Brest 29 në Ligë 1 të dielën.

Anësori 25-vjeçar nuk ia dha asnjë mundësi portierit të Brest 29 ta ndalte goditjen e tij, pasi topi mori një trajektore të lakuar para se të përfundonte në cepin e majtë të portës së tij.

Natyrisht një gol i tillë në njërën prej pesë ligave më të mëdha evropiane nuk ka mundur të kalonte pa e bërë xhiron e botës.

Pamje nga puna e paqme e Zenelit shkuan edhe në Spanjë, aty ku e përditshmja madrilene e këshilloi ekipin kombëtar të Spanjës të marrë shënime për yllin kosovar.

“Spanja të mbajë shënime: gol spektakolar dhe madhështor nga kosovari Zeneli për Reims”, shkruan MARCA në përshkrimin e videos së golit të Zenelit në uebsajtin e vet.

Kosovës i ka rënë shorti të luajë kundër Spanjës në Grupin B. Ndeshjet kualifikuese për Katar 2022 zhvillohet nga marsi i vitit të ardhshëm, me Spanjën që e pret Kosovën më 31 mars, para se të udhëtojë drejt Prishtinës për ndeshjen e kthimit më 8 shtator.

Zenelin e kanë kufizuar lëndimet në masë të madhe këtë vit dhe ai i ka zhvilluar vetëm 10 ndeshje deri tani, duke e shënuar një gol dhe duke e regjistruar një asist.

Ai mungoi në katër ndeshjet e fundit të Kosovës në edicionin e sivjetmë të Ligës së Kombeve, si dhe në përballjen miqësore m Shqipërinë, shkaku i lëndimit muskulor.

Por ai duket ta ketë lënë prapa lëndimin dhe të jetë riaftësuar plotësisht.