Familjarët e Klodianit-Ramës: Vrasja me dashje, pensionin e dhënë do e japim për bamirësi

Familja e Klodian Rashës, 25 vjeçarit që u vra nga efektivi i policisë më 8 dhjetor, ka pritur mëngjesin e sotëm kryeministrin Edi Rama.

Tema e diskutimeve dhe arsyeja e kësaj vizite ka qenë lidhja e një pensioni për familjen Rasha nga shteti.

Ditën e djeshme pensioni u refuzua nga babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, i cili reagoi ashpër edhe ndaj faktit që në VKM vrasja ishte cilësuar si aksidentale.

Ndërkohë që ditën e sotme mësohet se pas takimit me Ramën, kanë pranuar pensionin mujor.

“Nga ana e familjes Rasha, bëhet me dije se është rënë dakord për të pranuar pensionin, që nuk do të përdoret nga familjarët, por ata do ta përdorin për bamirësi“, informon gazetari i Ora News, Besar Bajraktari.

Gjatë takimit për rreth 1 orë me kryeministrin Rama, është kërkuar nga familjarët të mos cilësohet si “vrasje aksidentale”, por si “vrasje me dashje”. Mbetet për tu parë në ditët në vijim, pasi ngjarja po vijon të hetohet.

Klodian Rasha u qëllua për vdekje mëngjesin e 8 dhjetorit nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, pranë banesës së tij, në afërsi të rrugës “Dritan Hoxha”.