Regjisori: Unë e thashë që do vijë dita që policia do vrasë, ju i keni parë si i kapin policët kalamajt pa bërë asgjë

Regjisori Robert Budina ka marrë pjesë edhe në protestën e sotme, që është e gjashta radhazi për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Budina ka thënë se paqja nuk arrihet pa dhunë. Ai thotë se fatkeqësisht ka arritur në këtë përfundim pas asaj që ndodhi me Teatrin Kombëtar.

“Jemi sërish në protestë për një arsye shumë të thjeshtë që nuk ka reflektim dhe po shkon drejt masave ekstreme. Kjo që po përpiqet të bëjë shteti nuk ka fytyrë. Ne jemi këtu kundër të keqes që instalohet në tru.

Para katër ditësh u përballa me forcat policore që pasi më thanë largova, unë u largova dhe më shtynë në trotuar. Më dolën lot. Ajo filozofi që injektuan në teatër nuk patën asnjë efekt. Gjithë kjo filozofi që ne ndërtuam nuk dha asnjë rezultat. Më vjen keq por paqja nuk fitohet pa dhunë. Unë kam dalë në këtë përfundim dhe historia botërore e vërteton qartë. Shikoni se ç’po ndodh në Kosta Rika.

Ju e keni parë si i kapin policët kalamajt pa bërë asgjë. Nëse ka një dhunë, ka si rezultat i një shkaku. Unë nuk dua të jem në vendin e babait të Klodianit. Ai veprim nuk ishte i rastësishëm, ai erdhi me dhunën e teatrit. Që atë ditë kur e shembën unë e thashë që do vijë dita që policia do vrasë”, tha Budina.