Berisha: Nuk mund të shpallësh aksident vrasjen me dy plumba pas shpine, Rama bëri zgjidhje kanunore

Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar në Çim Peka LIVE, tha se, vendimi i qeverisë për ta quajtur vrasjen e Klodian Rashës si një aksident, është poshtërim.

Pensionin për familjen, Berisha e quan një zgjidhje kanunore.

“Kjo është një zgjidhje kanunore. Edvin Kristaq Xhelati ka bërë një zgjidhje kanunore. Në kanun gjaku ose merret, ose paguhet me para. Xhelati kësaj radhe vendosi të paguajë me para gjaku. Ai ka kryer një vrasje për së dyti të viktimës.

Rama u tha shqiptarëve, se duke e cilësuar si aksident, unë mund ta nxjerr të pafajshëm vrasësin, pasi kam shlyer gjakun. Nuk ka zgjidhje më të shëmtuar dhe kriminale.

Nuk mund të shpallësh aksident vrasjen me dy plumba, se u ke dhënë mundësi të gjithëve që të bëjnë vrasje dhe ta shpallin si aksident. Me këtë, Edi Rama ka poshtëruar çdo shqiptar”, tha Berisha.

Ai tha se me ligj, një vrasje shpallet me dashje ose pa dashje, por sërish shteti dëmshpërblen.

Berisha reagoi për akuzat që i bëri kryeministri Edi Rama se, është organizator i protestave rinore.

“Shfrytëzoj rastin të përshëndes me nderimin më të madh të gjithë ata qindra-mijëra të rinj që mbushën rrugët dhe sheshet e Tiranës për drejtësi dhe për protestë kundër ekzekutimit shtetëror me plumba pas shpine të 25-vjeçarit.

U them se keni mbrojtur nderin e shoqërisë shqiptare. Keni bërë një shërbim shumë të çmuar për vendin tuaj. Jeni treguar trima dhe të pamposhtur ndaj një regjimi që drejtohet nga biri i një xhelati, nga një regjim që ju ka qëlluar me gaz lotsjellës dhe ujë.

Dua të theksoj se akuzat e Edi Ramës vetëm më nderojnë. Unë do kisha nder të madh që të isha organizator apo frymëzues i tyre. Unë e di që nuk jam, por jam admirues i madh i tyre. Ata nuk i morën kujt leje, por nderuan veten e tyre,” tha Berisha.

Sipas tij, “ne jemi në një shtet terrorist policor”.

“Nga viti 2013 deri më sot, kush është dënuar nga njerëzit me uniformë pse u kanabizua Shqipëria? Kush është dënuar për krimin e shëmtuar elektoral?”

Sipas Berishës, George Floyd shqiptar nuk është Klodian Rasha, por Enea Ftoi, i riu rom që vdiq nga dhuna policore në Korçë. Pavarësisht vdekjes së tij, prokuroria pushoi akuzat ndaj policëve.

“Klodian Rasha nuk është George Floyd. Enea Ftoi është George Floyd shqiptar. Askush nuk çau kokën për të vetëm pse ishte rom. Racistët shqiptarë e mbytën në komisariat dhe e nxorën veten të pafajshëm. Në shtetin policor, policia ka pasion vrasjen”, tha Berisha.