Instinkti vrasës i Luanit të Ri

Nga Erl KODRA

Që në minutën e parë që kam lexuar lajmin se një i ri 25 vjeçar është vrarë nga një oficer policie, kam ndjekur me vëmendje të gjitha reagimet që vinin nga Shqipëria. Për shumë arsye, unë kisha dyshime të forta nëse shoqëria shqiptare do të reagonte apo jo. E shikoja me skepticizëm forcën e reagimit, jo se nuk kishte njerëz që u tronditën nga vrasja brutale e një djali në lule të rinisë, por se në Shqipëri, çfarëdo që të ndodhë, sado e madhe të jetë poshtërsia, pafytyrësia tejkalon limitet e arsyes – duke sjellë një lloj dyzimi në mendjet e qytetarëve. Nga përvojat e mëparshme, menjëherë pasi ndodhë një ngjarje e rëndë, fillon një operacion shumë dimensional – shtetëror, mediatik, politik dhe diplomatik, për ta sfumuar atë, për ta fshehur, deformuar ose zhbërë thelbin e asaj çfarë ka ndodhur.

Edhe kësaj rradhe përpjekjet ishin të mëdha, megjithse ata nuk mund ta zhbënin vrasjen e Klodianit, përsëri u munduan t’i vënë atij një pistoletë në dorë, ta njollosnin emrin e tij, ta përdhosnin portretin e tij. Makineria manipulative e Policisë së Shtetit dhe e Ministrisë së Brendshme nuk qe në gjendje të gjente ndonjë mënyrë manipulimi si në rastet e skandaleve të tjera, megjithë përpjekjet e bëra. Me sa duket, mosha e re dhe portreti ëngjëllor i Klodianit, por edhe plumbi në shpatull dhe dhuna brutale që i mori jetën – nuk mund të fshiheshin. Makineria e manipulimit nuk do të funksiononte si në rastet e tjera.

***

Reagimi i 20 vjeçarve shqiptarë mund të duket befasues dhe sfidues, por në të vërtetë është shumë racional dhe logjik. Mbyllja e çdo mundësie dhe manipulimi i trashë i realitetit nuk mund të pranohet më tej si një fat i paracaktuar. Ka diçka ndryshe në reagimin e rinisë shqiptare, dhe ky nuk është një reagim impulsiv, por instinktiv.

Shoqëria shqiptare ndjehet nën agresion sistemik. E gjithë shoqëria ndjehet e vjedhur, e mashtruar, e dhunuar. Shqiptarët po e ndjejnë se ekzistenca e tyre është në rrezik, se numri i tyre po paksohet nga emigrimi i pandërprerë, se atyre po u vidhen hapur pasuria dhe mjetet e jetesës, se vendi po drejtohet nga një bandë e pashpirtë, se Kryeministri i tyre nuk është asgjë më ndryshe se sa një demagog mafioz i paskrupullt. Shqiptarët nuk e besojnë më median, institucionet, gjykatat dhe prokurorinë. Ata po e kuptojnë nuk kanë asnjë siguri për të ardhmen, se përpjekjet e tyre po shkojnë dëm, se nuk kanë asnjë garanci kushtetuese, se aftësia e tyre për mbijetesë në këtë mjedis po merr fund. Instinkti i jetës u aktivizua, dhe 20 vjeçarët reaguan. Mjerë kush nuk e kupton se çfarë po ndodhë realisht në subkoshiencën e atyre adoleshentëve.

***

Mediat e Tiranës vazhdojnë tiradën e turpshme të mashtrimit dhe manipulimit. Lorenc Vangjeli me shokë shumë, nuk ndalojnë për asnjë çast manipulimin, si qentë e stërvitur të një cirku të neveritshëm. Shpëlarësit e të pëgërave të Edi Ramēs glorifikojnë mashtrimin publik, vjedhjen, krimin dhe korrupsionin. Kjo mënyrë sjelljeje publike vetëm sa rritë reagimin dhe zgjon neverinë për këta butakë mediatik; rracën më të ndyrë që ka nxjerrë ky vend.

***

Bota e luanëve është një mikro-univers tejet interesant. Luanët e rinjë reagojnë dhe rrëzojnë mbretërit e vjetër. Kjo është e shkruar në ADN-në e tyre, për mijëra vjet. Saktësisht kjo po ndodhë edhe në shoqërinë tonë; është zgjuar luani i ri brenda shpirtit të shqiptarit 20 vjeçar. Mjerë ata që nuk e kuptojnë se mashtrimi nuk pi më ujë; sepse mashtruesit do të jenë viktimat e para të rinisë shqiptare.