Dhuna policore ndaj të miturve në protestë, Avokati i Popullit nis hetimin

Avokati i Popullit ka dalë sot me një thirrje të dytë drejtuar Policisë, një ditë pasi i bëri thirrje për vetëpërmbajtje që t’i garantojë të drejtën qytetarëve për të protestuar paqësisht.

Në deklaratën e sot vëmendja përqëndrohet tek ndalimet e të miturve që po ndalohen nga Policia për shkak të pjesëmarrjes në protestat e dy ditëve të fundit, ndalime në thyerje të ligjit, ndaj i kërkon Policisë, të tregojë kujdesin e duhur ndaj tyre. Po ashtu, njofton nisjen e një hetimi administrative ndaj këtyre rasteve.

“Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni, nga mediat online, por edhe shoqëria civile dhe organizata të saj,  thuhet në deklaratë, – lidhur me shoqërimin e disa të miturve nga forcat e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës ose në mënyrë rastësore të pranishëm, në protestën e zhvilluar dje në kryeqytet.

Në mbështetje të ligjit, Avokati i Popullit filloi procedurën e hetimit administrativ të shqyrtimit të çështjes me nismën e vet, për rastin në fjalë.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.

Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.

Zbatimi i saj në praktikë, ndër vite ka qenë puna dhe angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve publikë dhe jo publikë, por jo vetëm, edhe organizatave ndërkombëtare, institucioneve të pavarura, institucioneve të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e kuandrit ligjor në vazhdimësi, organizimin e trajnimeve të ndryshme, për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, që janë në shërbim të drejtpërdrejtë me fëmijët, organizimit të fushatave ndërgjegjësuese, ngritjes së institucioneve të reja për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Avokati i Popullit dhe KMPDF në vijëmësi kanë rekomanduar marrjen e masave nga ministritë e linjës dhe institucionet shtetërore, për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur!

1 23

2 19

3 12