Ballina Top 3 VOA: Rama shpalli dorëheqjen e Lleshajt, por protestat nuk ndalen

VOA: Rama shpalli dorëheqjen e Lleshajt, por protestat nuk ndalen

Në Shqipëri, ministri i brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen pas vrasjes në orët e natës, dy ditë më parë të 25 vjeçarit Klodian Rrashaj, nga një punonjës i policisë në ndjekje e sipër.

Njoftimin e bëri të ditur fillimisht kryeministri Edi Rama, përgjatë një mesazhi drejtuar qytetarëve, lidhur me ngjarjen, të cilën ai e cilësoi “një tragjedi për familjen dhe një lajm tronditës për të gjithë shoqërinë”.

Kryeministri bëri të ditur se “menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ministri i brendshëm më ka informuar dhe vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Dhe jo vetëm për të larë gojën, po duke më shpjeguar pse tërheqja e tij nga posti i lartë, ishte rruga e duhur për të personalisht, për mua që i kam besuar atë detyrë dhe për qeverinë e shumicën tonë qeverisëse. Jemi takuar sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjshmërisë qytetare dhe kuotën morale me të cilën e mat veten e detyrën e tij Sandër Lleshaj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë.

As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25 vjecar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë. Tjetër të ndash dhimbjen me fjalë, tjetër ta adresosh brengën me një gjest njerëzor, qytetar, si shqiptar i mirë, duke përcjellë për të gjithë një mesazh ndjese që vlen sa një milionë fjalë”, deklaroi kryeministri.

Menjëherë më pas, përmes një statusi në Facebook, zoti Lleshaj saktësoi se dorëheqja e tij ishte “e parevokueshme”.

“Tani është momenti për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011.

Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar. Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së Klodian Rashës, por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, shkruajti zoti Lleshaj.

Tirana u përfshi sërish nga protesta të dhunshme në mbrëmje nga protestues, që shprehin zemërimin e tyre për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një patrullë policie të hënën pas mesnate.

Ata u mblodhën për të dytën mbrëmje para kryeministrisë dhe ministrisë së punëve të brendshme.

Protestuesit goditën me sende të forta policët dhe ministrinë e punëve të brendshme e më pas u shkuan para kryeministrisë.

Kordona policie i mbrojtën dy institucionet dhe përdorën ndaj protestuesve makina me ujë dhe gaz lotsjellës.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u shpërndanë në grupe më të vogla, duke goditur institucione të tjera pranë shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, duke përfshirë edhe ministrinë e financave.

Forcat e rendit po i ndjekin grupet e protestuesve përgjatë shëtitores, të ndihmuar edhe nga dy automjete me ujë presioni.

Në sheshin “Skënderbej” po ashtu policia po largon protestuesit e mbledhur në afërsi të Bankës së Shqipërisë, ku gjendet edhe selia e Partisë Socialiste.

Grupe më të vogla protestuesish janë zhvendosur në lulishten në krah të presidencës. Aty është hedhur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Exit mobile version