Ballina Kryesore Rama del në mbrojtje të policisë vrasëse: “Të ndiheni krenarë”

Rama del në mbrojtje të policisë vrasëse: “Të ndiheni krenarë”

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza në lidhje me ngjarjen e rëndë, vrasjen e të riut Klodian Rashës, duke shigjetuar presidentin Ilir Meta dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

“Tragjedia e natës së para dy ditëve është një episod krejt i shkëputur, fatal, i dënueshëm e i pafalshëm, por pa asnjë lidhje me frymën dhe punën e Policisë së Shtetit. Kush thotë të kundërtën ka thjesht një opinion të ndryshëm, rëndom politikisht të motivuar, po fatmirësisht nuk ka fakte që të provojë atë që thotë. Dhe Presidenti i Republikës, që është në fakt prova më ulëritëse e përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të etikës institucionale dhe vetë ligjit, është i parafundit që duhet të hapë kamaren e gojës për sjelljen e Policisë së Shtetit; jo thjesht sepse është qysh në krye të herës, njëri ndër nxitësit e organizatorët e atyre serialeve të dhunshme që kujtova më lart, as sepse qoftë sa për sy e faqe, nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vërtetë solidariteti për efektivat e policisë nën presionin e dhunës, po sepse është njëri ndër shembujt më të këqinj të sjelljes shoqërore e institucionale në historinë e Shqipërisë. Sidoqoftë është i parafundit në këtë rast.

Sepse i fundit që mund të japë gjykime morale e leksione karakteriale, për se si duhet të sillet Policia e Shtetit apo se si duhet të reagojë ministri i brendshëm, pas ngjarjes tragjike të natës së 8 dhjetorit, është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai në fakt është shembëlltyra e pafuqisë morale dhe e dobësisë karakteriale, jo thjesht sepse është udhëheqësi i disa revolucioneve të mbetura në tentativë, të cilat të vetmen arritje kanë pasur plagosjen e policëve, as sepse është ndotësi numër dy i Policisë së Shtetit me baltën e pafundme të shpifjeve e të akuzave, pas kutërbuesit numër 1 të historisë së Shqipërisë që ka mbi kokë, ai bashkë me Partinë Demokratike, por sepse është ministri i brendshëm i masakrës së 21 janarit, ku nuk ishte një polic patrulle që vrau një njeri në mes të natës në një rrugicë periferike, në rrethana krejt absurde, po ishte qeveria, kryeministria e kthyer në një bunker, me dhjetra grykë zjarri, që vrau katër protestues krejt paqësorë, kur protesta po shpërndahej – pa llogaritur sakatimin kafshëror të qindra të tjerëve. Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Rezultatet e saj sot nuk kanë asnjë krahasim me dje. Gjendja e rendit dhe sigurisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Sjellja e efektivëve të policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Faktet, shifrat, opinioni i publikut, flasin kokëfortësisht për pamundësinë e këtyre krahasimeve.

Por gjithashtu, nuk ka asnjë diskutim se si çdo pyll që ka derrat e vet, ka edhe Policia e Shtetit të padenjët e saj. Dhe askush, asnjëherë nuk ka pretenduar të kundërtën. Përkundrazi, vijimësisht, pastrimi i radhëve të Policisë nga të padenjët, ka qenë pjesë e reformimit e transformimit të saj të vazhdueshëm. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot, përfshirë edhe ministrin e brendshëm, nuk janë as të rënë nga qielli, as pa gabime në këto vite të stërngarkuara pune, pa orar e pa u ankuar kurrë për vështirësitë e përditshme.

Ama askush nuk mund të ngrejë akuza në drejtim të tyre – me fakte e prova, se me llafe rrugësh e dokrra mediatike kollaj fare – as se janë të lidhur me krimin, as se janë të korruptuar a të mbingarkuar politikisht dhe as se me sjellen e veprimet e tyre, ndikojnë negativisht mbi trupën e Policisë së Shtetit. Sic nuk krahasohen nata me ditën, nuk krahasohen dot jo vetëm puna dhe sjellja e policisë së shtetit dje e sot, po as shkalla e tolerancës dhe niveli i dëgjimit të qytetarëve të qeverisë dje, me qeverinë sot. Unë jam krenar që në këto shtatë vjet e dy muaj qeverisje, protesta e ka rifituar qysh në krye të herës të drejtën e humbur të qytetarisë në vitet e zymta të qeverisjes së vrasësve të saj me presionet e deri edhe armët e shtetit. Kur ne sapo e kishim nisur rrugën e qeverisjes së vendit, tamam shtatë vjet më parë, u zhvillua në Shqipëri protesta më e madhe e më qytetare e viteve të pluralizmit demokratik; ajo e refuzimit ndaj armëve kimike, ku nuk u thye asnjë xham, nuk u plagos asnjë polic, nuk u dogj asnjë fije bari e nuk u shfaq asnjë grimcë nga rrugaçëria e halabakëria tipike, e protestave të nxitura dhe organizuara prej pushtetarëve të rënë nga vakti, që duan të rikthehen në pushtet me pahirin e mosarsyes, me inskenimet e pambarimta e me dizinformimin sistematik të opinionit publik, deri edhe për të vdekurit në spitale! Në atë protestë masive atëherë, fitoi populli dhe reflektoi qeveria. E cila dëgjoi popullin e iu nënshtrua jo shembullit të forcës, po forcës së shembullit të protestuesve të panumërt.

Po ashtu në protestën e studentëve, dy vjet më parë si sot, ku përjashtuar ndonjë ekses i disa ndotësve të mjedisit demokratik të futur su kallauzë të partive të shëmtisë e të gjullurdisë antiqytetare, asnjë xham nuk u thye e asnjë fije bari nuk u dogj dhe përsëri, fituan studentët dhe reflektoi qeveria!

E qysh nga ai fillim i para shtatë vjetëve e më pas dhe deri më sot, s’ka bërë vaki asnjëherë që qeverisja jonë të degradojë në arrogancën, brutalitetin, shëmtinë e tejkalimit të së drejtës së ushtrimit të forcës mbi qytetarët, për të imponuar zbatimin e vendimeve të veta. Ndërsa Policia e Shtetit në asnjë rast nuk i ka shërbyer pushtetit, po ligjit dhe popullit shqiptar.
Pavarësisht se nuk kanë qenë të pakta herët kur jemi ndeshur me inskenime kërcënuese, përballur me provokime të rrezikshme, ballafaquar me agresione brutale e të shëmtuara, ne kurrë nuk e kemi keqpërdorur policinë, kurrë nuk e kemi yshtur atë politikisht, kurrë nuk e kemi kërkuar nga ajo atë çka kurrë nuk e kemi dëshiruar në fakt: Përplasjen me forcë me protestuesit! As kur protestuesit kanë qenë jo qytetarë, as popull, po militantë e fanatikë partish kundështare, mes të cilëve ka spikatur në të gjithë shëmtinë e vet, dora e huliganëve pa atdhe, pa din e as iman, si ata që mbrëmë i vunë flakën pemëve të Krishtlindjeve e të Vitit të Ri, për turpin e frymëzuesve të tyre të paturpshëm, policia ka qenë e shtetit jo e pushtetit, e ligjit jo e Maliqit, e mundimit dhe e durimit, jo e hurit dhe e litarit! Prandaj sot dua t’u them të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, në radhë të parë atyre që edhe mbrëmë u përballën me gurët, me zjarrin e me gojën e pistë të tufës së hienave që donin të shqyenin dritare e dyer institucionesh, në emër të Klodianit po për llogari të katërshes së valltarëve të shpatave e të sherreve, që të ndjehen krenarë për uniformën, për sakrificën, për shërbimin e palodhur ndaj ligjit e vendit.”, tha Rama.

Exit mobile version