Ballina Sport Ndahet nga jeta legjenda e futbollit italian, Paolo Rossi

Ndahet nga jeta legjenda e futbollit italian, Paolo Rossi

Paolo Rossi, ylli i ekipit kombëtar të Italisë që e fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, ka vdekur sot në moshën 64-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur në orët e hershme të ditës së enjte nga televizioni italian RAI Sport, për të cilin Rossi po punonte si ekspert futbolli.

“Lajm shumë i trishtueshëm: Paolo Rossi na ka lënë”, shkroi në Twitter prezantuesi i RAI Sport Enrico Varriale.

Bashkëshortja e Rossit, Cappeletti Federica, e postoi një fotografi të veten dhe të bashkëshortit në llogarinë e vet në Instagram, me mbishkrimin “per sempre” – “përgjithmonë”.

Ajo nuk e ka bërë të ditur shkaktarin e vdekjes së tij.

Ish-lojtari i Juventusit dhe Milan njihej si njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohëve dhe ishte më së shumti i famshëm për lojën heroik në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.

Rossi luajti në Serie A gjatë gjithë karrierës, duke i fituar dy tituj në ligë dhe duke i ndihmuar Juventusit ta fitojë Kupën Evropiane më 1984.

Rossi është fituesi i dytë i Kupës së Botës që vdes brenda dy javëve, pas Diego Armando Maradonës që vdiq nga sulmi në zemër.

Exit mobile version