Kriza lë të papunë 14 mijë persona

Pas heqjes së masave të karantinës punësimi shihet të jetë përmirësuar në tremujorin e tretë të këtij viti, por megjithatë më shumë se 14 mijë e 500 persona janë të papunë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2019.

INSTAT raportoi sot në të dhënat e Anketës së Forcës së Punës se, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 1,2 % (14,500 persona), ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, ky tregues u rrit me 2,8 % (32,497 persona).

Në tremujorin e tretë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,6 %.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.

Në tremujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,8 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është në të njëjtin nivel, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon një rritje prej 1,7 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 61,8 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,9 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 16,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është ulur me 0,2 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 0,2 pikë përqindje.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,3 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,2 %.

Punësimi u rrit në sektorin e industrisë dhe shërbimeve

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2 %.

Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2020, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,8 %. Punësimi mbeti në të njëjtin nivel në sektorin e bujqësisë dhe pësoi rritje në sektorin e industrisë me 5,6 % dhe atë të shërbimeve me 3,8 %.

Shkalla e punësimit për burrat është 68,7 %, ndërsa për gratë 54,2 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 0,2 pikë përqindje dhe për gratë u ul me 0,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 42,3 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2020, shkalla e punësimit është 71,1 %.

Papunësia, rritje vjetore me 0.2%
Në tremujorin e tretë 2020, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,6 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,2 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,4 % dhe për gratë 11,8 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2019, shkalla e papunësisë për burrat është në të njëjtin nivel, ndërsa për gratë është rritur me 0,4 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 20,7 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në ulje. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2020 është 0,7 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është ulur me 0,7 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,0 %. Në terma vjetorë ky tregues është rritur me 0,5 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u ul me 0,5 pikë përqindje. Popullsia ekonomikisht jo-aktive Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, 18,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,1 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të tretë 2020, 11,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

“Dembelët” po shtohen
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, 18,7 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15-64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 11,1 % e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2 % në paaftësi të përhershme. Gjatë tremujorit të tretë 2020, 11,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 67,2 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 8,5 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 14,1 % të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.