Humb jetën nga Covid-19 mjekja e njohur (Foto)

Një tjetër mjeke e njohur ka ndërruar jetë nga Covid-19, Dr.Flutura Hashorva. Vdekja e Dr. Hashorvës ndodhi në të njëjtën ditë kur vdiq nga e njejta sëmundje, Dr. Drini Dobi.

Lajmin për Dr. Hashorvën e ka bërë të ditur motra e saj, Karolina Hashorva Budo në rrjetet sociale, ku shkruan: “Në orët e para të mëngjesit të datës 9 dhjetor ndërroi jetë pranë Sanatoriumit “Shefqet Ndroqi”, motra ime e dashur, gojëmbël, humane dhe fisnike, dr. Flutura Hashorva, që me përkushtim i kushtoi 48 vjetët e jetës së saj, profesionit të mjekut pneumolog në këtë Sanatorium, Dispanseri e në fund në Klinikën Ortodokse.  Pushofsh në paqe, motër e dashur. Ne të gjithë të dashurit e tu, të duam shumë, do të jesh me ne përjetë!” përfundon e motra.

Ndërsa pedagogia e Fakultetit të Mjekësisë, Anila Aliko, ka shkruar: “Edhe një lajm tjetër i keq për komunitetin e mjekëve. U nda nga jeta dr. Flutura Hashorva, pneumologe, e cila shërbeu në pavionin e parë të pneumologjisë pranë QSUT-së sëbashku me të nderuarin Prof. Elez Selimin.

Në vitin 1983 u transferua në spitalin e mushkërive, ish-Sanatoriumi e më pas pranë Dispancerisë së Tiranës.

Dr. Flutura u shqua gjithmonë për profesionalizmin e saj, komunikimin e mirë si me kolegët dhe pacientët.

Ajo dha kontributin e saj në luftën kundër këtij virusi të tmerrshëm deri ditën që u infektua dhe vetë.  Kolegët me të cilët punoi për shumë vite në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” u përpoqën shumë, por nuk e shkëputën dot nga kthetrat e vdekjes.

Do ta kujtojmë gjithmonë kolegen, shoqen dhe miken tonë të dashur.

Të qoftë dheu i lehtë, e dashur Flutura!”, përfundon znj. Aliko.

auto 33127468 1717251