Të vret natën, të qan ditën, mesazhi hipokrit i ministrit që tentoi tre herë të manipulonte vrasjen e të riut

“Të vret natën, të qan ditën”, kjo është shprehja që i shkon për shtat çdo regjimi porn ë mënyrë të veçantë postimit të sotëm të ministrit të Brendshëm Lleshaj. Ky bën sikur është pikëpuular për vrasjen e të riut 25 vjeçar të ekzekutuar nga policia në një kohë që e gjitha është një hipokrizi.

Ishte po ministria dhe policia që tre herë rradhazi pas ekzekutimit të 25-vjeçarit u përpoq që të manipulonte vrasjen duke arritur deri aty sa përmes skenarëve tipik të Sigurimit të Shtetit, i vendosën edhe armën pranë trupit të viktimës pasi e kishin ekzekutuar.

Lleshaj ka reaguar për herë të parë pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha në orët e para të mëngjesit të djeshëm pak metra larg shtëpisë së tij.

Lleshaj thotë se ka shumë arsye se përse e ndien fort se çfarë do të thotë humbja e të riut për prindërit dhe familjarët duke iu shprehur ngushëllimet.

Ndërkaq ai iu bën thirrje autoriteteve përgjegjëse ligjore të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë

MESAZHI I PLOTË

E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH

Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.

Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.

Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.