Ndahet nga jeta në moshë të re mjekja dhe pedagogia e njohur

Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, përmes një njoftimi në faqen zyrtare, ka bërë me dije se ka ndërruar jetë pedagogia dhe mjekja Obsetre-Gjinekologe Suela Muça.

Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së mjekes së njohur në një moshë mjaft të re.

‘Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta e Dr. Suela Muça, mjekes Obsetre-Gjinekologe dhe pedagoges së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike.

Dr. Muça u lind në vitin 07.02.1972. Në vitin 1997 u diplomua në mjekësi pranë Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Tiranës dhe më pas në vitin 2002 u specializua si mjeke Obsetre-Gjinekologe. Dr. Muça ka punuar pranë Spitalit Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’. Prej më shumë se 10 vitesh Dr. Muça ishte pjesë e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Ajo ishte e karakterizuar nga sinqeriteti, mirësia dhe përkushtimi i lartë si mjeke dhe pedagoge.

Largimi nga jeta i Dr. Suela Muça lë pas një humbje të madhe për mjekësinë, universitetin, familjen, kolegët, studentët, pacientët e shumtë dhe cilindo tjetër që ka pasur fatin e mirë ta njohë. Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, përcjellin ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe njerëzit e dashur’, njofton Universiteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.