8 Dhjetori është ftesa për të qëndruar dhe për tu kthyer në atdhe

8 Dhjetori 2020 nuk mund të jetë një ditë feste; është një ditë proteste për dinjitet njerëzor dhe liri shoqërore; ditë që evokon përpjekje dhe sakrificë të vazhdueshme në emër të një të ardhmeje që nuk pengohet nga shkurajimi i imponuar i së tashmes; – është një ditë që e gjen rininë në një të tashme tërësisht të errët dhe në kurthin e ngritur nga keqqeverisja për të humbur shpresën tek e ardhmja; gracka të vazhudueshme që e ftojnë në formate kompromisi si “Pakti për Universitetin” apo në të tjera..kompromise të vogla ku mjeshtrat e lojës “ me dhe pa top” përpiqen të dërgojnë “mish për top” sinqeritetin e kauzave dhe pasionin e të rinjve në ndjekje të tyre. Ky 8 Dhjetor e gjen Shqipërinë në një udhëkryq të rrezikshëm ; – të tillin mes instalimit tërësor të autokracisë dhe një ndryshimi të thellë politik që do të mundësohej nga një reagim demokratik proaktiv i flukseve të të rinjve, gjithashtu. Shqipëria ndodhet në udhëkryq sepse rinia ndodhet në udhëkryq;-në udhëkryqin mes largimit nga vendi, moskthimit në të njëjtin apo qëndrimin dhe kthimin për të sjellë dhe për të jetësuar ndryshimin; – udhëkryq për rininë është inkurujuar nga keqqeverisja që ka krijuar premisat e nevojshme negative për të inkurajuar largimin e të rinjve nga vendi.

Raportet e ndryshme ndërkombëtare të shoqëruara dhe me anketat e ndryshme të organizmave të pavarura kanë treguar realitetin e dhimbshëm të numrit të të rinjve të larguar dhe të të njëjtëve që shprehen të gatshëm të largohen nga vendi, gjithashtu. Sondazhet e Gallup International dhe të fondacioneve të ndryshme dëshmojnë një trend të vazhdueshëm negativ në përputhje me vullnetin e të rinjve për të qëndruar në atdhe; të gjitha sondazhet dëshmojnë që në marzhin 60-70 % dëshirojnë të largohen nga Shqipëria; një studim i publikuar në një stacion televiziv tregonte trishtueshëm që plot 94 % e të rinjve që studiojnë jashtë vendit, të tillët që janë rreth 18 mijë nuk dëshirojnë të kthehen në Shqipëri.

Plaga e shpopullimit kombëtar dhe largimit të të rinjve ka ngërthyer trupin e Republikës dhe shërimi i plagës nuk mund të realizohet nga adhamudhët politikë që vijojnë të enden në një realitet të përshtatur për orekset e tyre politike dhe interesat ekonomike , gjithashtu ; enturazhi pushtetor është tërësisht i larguar nga kalvari i së përditshmes të të rinjve , i tilli..kalvari nuk e prek sepse largësia e tyre me qytetarin dhe të riun/renë halleshumë nuk është vetëm fizike….është një largësi e skalitur nga rehatia e pushtet-mbajtësit që nuk rreket as të mendojë mbi pamundësitë e të njëjtit me të në kontekstin e qënies njerëzore, por që konsiderohet i ndryshëm në statusin shoqëror për shkakun që nuk është pjesë e ekipit të “Shqipërisë që i duhet” – ekipi i duartrokistëve të KryeKreut që ngrohin shuplakat përmes të tillave dhe zhurmojnë realitetin e acartë që ka hyrë në palcën e familjes së një të riu; ai/ajo ..i riu/ e reja shikon familjarin dhe vetveten që ndjen përplasjen e derës së burokratit shtetëror, mediokritetin dhe ngërdheshjen njerëzore të të mangëtit intelektualisht që ka veshur kostumin e zyrtarit të lartë rajonal, cinizmin e kolltuk-mbajtësit politik që evokon “detin që nuk bëhet dot kos” një shprehje popullore pa kripë ndaj qytetarit halleshumë/babai ose nëna e një të riu të /reje që nuk ka mundësi financiare për të blerë as bukën dhe as kosin, gjithashtu. Në të njëjtën kohë, një i ri/ e re prek nivelin e ulët të shërbimit në arsimin publik; tarifat e rritura, mungesën e lehtësive të premtuara vazhdimisht, vlera e ulët e diplomës, ndjesia e humbëtirës post-diplomim në një treg të punës të deformuar nga konkurrenca e pandershme, konkurset fiktive të pranimeve në punë apo praktikat/internshipet e pavlera dhe të papaguara që nuk ndihmojnë në rritjen profesionale të tyre.

Sjellja politike qeverisëse në aksin arrogancë politike-pashpirtësi njerëzore është shkaku kryesor i numrit të lartë të të larguarve nga vendi, përkatësisht të rinjve që kanë ndjerë vendin e tyre si tokën e mundësive të munguara , të mohuara apo të ndaluara nga hordhitë e pushtetit që në mungesë të ndjesive dhe ndërgjegjes njerëzore e kanë shndërruar Shqipërinë në një realitet të zbrazëtisë….një enumeracion i dhimbshëm zbrazëtie që fillon me të njëjtën në territor dhe përfundon me tentativën e keqqeverisjes për ta instaluar zbrazëtinë e shpresës;- Shpopullimi kombëtar është plaga e thellë që duhet gishtuar për të grushtuar demokratikisht përmes angazhimit dhe pjesëmarrjes qytetare një rend keqqeverisjeje që endet mes retorikës vajtuese politike dhe paaftësisë së qëllimtë të shndërruar në djallëzi.

8 Dhjetori duhet të jetë një ditë reflektimi për aktorët politikë-bërës për llogaridhënie dhe transparencë publike , të tillët që janë dy komponentë thelbësorë që diktojnë pozitivisht praktikën e qeverisjes së mirë; -Shqipëria qeverisëse e 2020 e konsideron një sakrilegj qeverisjen e mirë…..në akte, por jo në retorikë. 8 Dhjetori i tanishëm nuk ngjason me të ngjashmit në datë të viteve apo dekadës së shkuar; jemi dëshm itarë të largimeve masive, të stepjes së segmenteve të caktuara të shoqërisë, të frikës për tu shprehur apo angazhuar për shkak të hakmarrjes së makinerisë së pushtet.
Ky 8 Dhjetor është ftesa për të vrarë frikën, hezitimin, stepjen, mosbesimin dhe për të inkurajuar një qëndresë demokratike që do të derdhet në kutitë e votimit; bardhësia e 8 Dhjetorit është mbrujtja e një shprese të re për një pranverë shqiptare përmes votës më 25 Prill. 25 Prilli është afati i afërt kohor që inkurajon shpresën për ndryshim, moslargimin nga vendi dhe kthimin në atdhe sepse ndryshimi nevojitet të realizohet dhe të formësohet, gjithashtu. Ky 8 Dhjetor duhet të shembë udhëkryqin e të rinjve dhe është ftesa për të mos u larguar, qëndruar dhe kthyer në atdhe; largimi i udhëkryqit të të rinjve është temjani ndaj djallëzi –qeverisjes që ka patur qëllimin e vetëm- largimin e të rinjve nga vendi dhe instalimin përfundimtar të autokracisë.

Qëndrimi dhe kthimi në atdhe është ftesa për ditë më të mira, shpresë të re, ndryshim thelbësor, bashkim të madh për një Shqipëri normale dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Bashkim i madh në emër të pamundësive të imponuara, arritjeve të penguara, psherëtimës dhe ankthit të përjetuar, lotit dhe zërit të mekur të prindit që vuan; -bashkim i madh për ti kthyer buzëqeshjen dhe për ti ngritut kokën vetes dhe Shqipërisë, gjithashtu. Koha për të qëndruar dhe për tu kthyer është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….