Ballina Aktualitet Të vritesh nga policia pse vrapon për t’i shpëtuar gjobës së qeverisë!

Të vritesh nga policia pse vrapon për t’i shpëtuar gjobës së qeverisë!

Nga Rexhep POLISI

Një i ri u ekzekutua nga policia pas mesnate në zonën e Laprakës në Tiranë. Klodjan Raxha nuk kishte bërë asnjë krim, por u vra nga shteti vetëm pse tentoi t’i shpëtonte ndjekjes së policisë për të mos i vendosur gjobën 100 mijë lekëshe të vendosur nga qeveria për ata që lëvizin pas orës 22:00.

25-vjeçari Klodjan Raxha kishte dalë nga shtëpia për të pirë kafe në një lokal në zonën e Laprakës në Tiranë. Ai ka dalë nga lokali dhe është nisur drejt banesës së tij, por teksa ka parë patrullën e policisë ka vrapuar që të mos gjobitet pse kishte dalë pas orës 22:00 dhe është qëlluar me dy plumba nga një efektiv i patrullës së policisë.

Policia njoftoi se, 25-vjeçari kishte armë ndaj u qëllua për vdekje, por ky version u rrëzua nga xhaxhai i tij, i cili deklaroi për mediat se nuk kishte armë në dorë, por dy hurma. Marrëzia e policisë shkon edhe më tej duke vendosur një armë në vendin e krimit për të fajësuar viktimën, njëlloj si në kohën e diktaturës kur Sigurimi i Shtetit vendoste armë në kisha e xhamia për të përligjur shembjen e tyre.

Policia u kujdes që të njoftonte se, i riu që u ekzekutua se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, por fqinjët dhe familja deklaruan se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte akënd në lagje.

Ndërkohë xhaxhai i Klodjanit, Hasan Rasha, teksa foli në emrin e familjes, tha se, nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga shteti, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.

Ky krim shtetëror u kry para agimit të 8 dhjetorit, pikërisht në ditën simbol të rrëzimit të diktaturës, për të na kujtuar edhe një herë se bijtë e atyre që instaluan diktaturën po tentojnë ta rikthejnë sërish atë.

Exit mobile version