Veliaj nxjerr bllof Ramën: Në Tiranë 119 të vdekur nga Covid-19 më shumë se sa raporton qeveria

Mes të dhënave zyrtare që deklaron qeveria dhe atyre që raportojnë bashkitë mbi numrin e viktimave nga COVID-19 ka mospërputhje. Vetëm Bashkia Tiranë ka 119 viktima më shumë nga COVID-19 se shifra zyrtare që Ministria e Shëndetësisë jep për të gjithë qarkun Tiranë.

Shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk tregojnë numrin real të vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19 në vendin tonë.

Euronews Albania kërkoi nga Agjencia e Shërbimeve Funerale pranë Bashkisë Tiranë informacion zyrtar mbi numrin e qytetarëve që kanë humbur jetën nga ky virus në Tiranë dhe nga përgjigja mësohet se nga muaji mars deri në 25 nëntor 2020 numri i viktimave vetëm në Tiranë është 434, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë deri në datën 27 nëntor raporton 315 viktima, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë qarkun.

Diferenca prej 119 viktimash vetëm për Tiranën, pa marrë parasysh numrin e viktimave edhe në bashkitë e tjera të qarkut si Kamëz, Vorë, Kavajë e Rrogozhinë, tregon se shifrat zyrtare të raportuara janë shumë më të ulëta se numri real i vdekjeve.

Edhe në Shkodër ndodh e njëjta situatë. Nga nisja e pandemisë deri në fund të muajit nëntor kjo bashki shënon zyrtarisht 80 vdekje me COVID. Bashkia Pukë, pjesë e qarkut Shkodër, raporton 3 viktima nga COVID-19. Ndërkohë, deri më 7 dhjetor sipas statistikave të ministrisë dhe faqes zyrtare coronavirus.al, numri i vdekjeve në qarkun Shkodër është 62.

Sipas të dhënave të marra nga Euronews Albania në rrugë zyrtare, vetëm në dy bashki të këtij qarku Shkodër e Pukë ka 21 viktima më shumë seç raportohet zyrtarisht.

Në qarkun Shkodër bëjnë pjesë gjithashtu bashkitë Malësi e madhe, Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz.

I gjithë qarku Berat sipas qeverisë, ka pasur 25 viktima deri në datë 2 dhjetor. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare të marra vetëm në 3 bashki të këtij qarku, në atë të Beratit dhe Kuçovës dhe Urës vajgurore, numri i viktimave deri në këtë datë është 33, pra 8 viktima më shumë, pa marrë parasysh dy bashkitë e tjera të këtij qarku, Poliçan dhe Skrapar.

Pak ditë më parë, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha ka hedhur akuza mbi qeverinë për fshehjen e të dhënave reale mbi numrin e viktimave të COVID-19, duke bërë publike disa lista që sipas tij përmbanin të dhëna të dala nga morgu, ku tregohej numri real i vdekjeve nga COVID-19./Euronews.al/