Rindërtimi në Tiranë, vidhen fondet për shkollat. Erion Veliaj ndërton 1 shkollë me çmim 3 herë më të lartë se BE

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUÇIANO BOÇI

Të dashur qytetarë! Dështimi është e vetmja fjalë që mund të përshkruajë qeverinë e “Hajdutëve të Fatkeqësisë”. Edi Rama, në bashkëpunim me Erion Veliajn, janë duke drejtuar një show propoagandistik të shëmtuar, pas të cilit fshihet një mega vjedhje. Pangopësia dhe babëzia e këtij pushteti po kalon çdo kufi, e nuk po kursen më as nxënësit dhe as prindërit. Sot, thuajse një vit nga dita e trishtë e tërmetit të 26 nëntorit, 13 mijë nxënës të Tiranës nuk mund të mësojnë në kushte normale, sepse shkollat e tyre janë të dëmtuara.

Me përkeqësimin e gjendjes së pandemisë, situata është edhe më kritike, pasi fëmijët e vegjël të klasave të para e të dyta, mësojnë me 2-3 e 4 turne dhe e lënë shkollën në orën 8 të darkës. Prindërit mes 100 halleve e problemeve lënë punën, dhe kujdesen që fëmijët e tyre të kapin oraret aspak të përshtatshme, duke u kthyer në një problem të madh për përditshmërinë e tyre.

Kjo gjendje amullie dhe kaosi është mundësuar me sponsorizimin dhe nën kujdesin e posaçëm të Bashkisë Tiranë dhe kryehajdutit të kryeqytetit, Erion Veliaj. Zvarritja e porcedurave, nuk është veçse një mizanskenë që do t’u mundësojë “Hajdutëve të Fatkeqësisë” gllabërimin e fondeve dhe ndërtimin me çmimin më të lartë, duke shkelur me dhjetëra herë ligjin e prokurimit publik.

Dy herë u anulua tenderi për ndërtimin e shkollave në Tiranë nga Erion Veliaj, megjithëse ai dhe Edi Rama premtuan se shkollat do të ishin gati në shtator. Të dyja herët, ajo që duket qartë është vjedhja me tenderat e rindërtimit për shkollat e Tiranës. Për të ndërtuar 14 objekte arsimore, Erion Veliaj tenderoi 30 milion euro. Thënë ndryshe, me procedurën korruptive të Bashkisë së Tiranës, një shkollë apo një kopsht do të kushtojë 2.1 milion euro.

Një çmim 3 herë më i lartë se procedura e ndjekur nga Bashkimi Europian për të njëjtën punë. Me standardet europiane, 1 shkollë e ndërtuar nga BE, do të kushtojë 680 mijë euro. Ky është shembulli se kur nuk ka mendje për të vjedhur, kostoja është më e lirë dhe mund të ndërtosh më shumë. Bashkimi Europian do të ndërtojë 22 shkolla me 15 milion euro, ndërsa Erion Veliaj dhe Edi Rama do të ndërtojnë më pak, 14 shkolla me 30 milion euro.

Duke ndjekur të njëjtin model vjedhjeje si me rrugët dhe investime të tjera publike, edhe në rastin e shkollave “Hajdutët e Fatkeqësisë” po na vjedhin trefish. Nuk ka asnjë argument bindës se përse 13 mijë fëmijëduhet të torturohen me 3 turne, por monstrat që janë në pushtet nuk kursejnë asgjë e askënd që pengon vjedhjen e tyre sistematike. Vjedhja është e vetmja arsye përse procesi i rindërtimit është vonuar.

Përse 13 mijë fëmijë nuk kanë shkollë dhe pse mijëra të tjerë detyrohen të mësojnë me turne? Fëmijët dhe prindërit shqiptarë nuk meritojnë një qeveri që i vjedh, një kryetar bashkie që i mashtron për t’u grabitur deri në qindarkën e fundit. Na duhet një qeveri që u krijon nxënësve kushtet më të mira për një arsim cilësor dhe dinjitoz, pa asnjë dallim! Për ketë duhet t’u themi “ndal” “Hajdutëve të Fatkeqësive” më 25 prill!