“Kjo është çmenduri”!…

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, është kritikuar ashpër dhe është akuzuar për mungesë lidershipi, pasi dështoi ta mbulojë mungesën e bashkëlojtarit të vet Thomas Partey, te goli i dytë i Tottenhamit në humbjen e Arsenalit 2:0 në Premierligë.

Arsenali pësoi disfatë 2:0 kundër rivalit të vet nga Londra veriore, pas golave nga Son Heung-min dhe Harry Kane në pjesën e parë në Tottenham Hotspur Stadium të dielën.

Kur vendasit u vërsulën në një kundërsulm, mesfushori i Arsenalit Partey u largua drejt vijës anësore për shkak të një lëndimi.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e shtyu atë me dy duart për ta kthyer në fushë në përpjekje për ta ndaluar kundërsulmin e Tottenhamit, por ai nuk ishte në gjendje të vraponte pas tyre.

Por ish-lojtari dhe ish-trajneri i Liverpoolit, Graeme Souness, beson se partneri i Partey në mesfushë, Xhaka, është dashur të nuhaste rrezikun që po i kanosej skuadrës së vet.

“Lojtarët e mëdhenj, liderët, nuk lejojnë që një gjë e tillë të ndodhë në fushën e futbollit”, tha Souness, ekspert i Sky Sports.

“Mesfushor qendror, apo mesfushor mbrojtës – nuk e di se çfarë është Xhaka, janë bërë gjashtë apo shtatë vjet dhe nuk e kam të qartë se çfarë roli luan ai”, shtoi ai.

Xhaka mori kritika edhe nga legjenda e Manchester United, Gary Neville, për shkak të kartonit të panevojshëm që e mori një çerek para fundit të lojës kur ndërhy ashpër ndaj Son.

“Kjo është çmenduri. Gjëja e fundit që të duhet nëse je lojtar i Arsenalit në këtë çast është të ndalet loja”, tha Neville.

“Son nuk po shkonte askund. Nga ajo pozitë ai nuk mund të krijojë kundërsulm dhe ndërhyrja (e Xhakës) vetëm sa e vonoi lojën për 40 sekonda më shumë”, shtoi ai.