Basha në Asamblenë e PPE: Ndihma me vaksina anti-COVID, mëse e mirëpritur! Vendi im në një situatë tejet të vështirë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë sot në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane, që zhvillonte punimet online. Në fjalën e tij, zoti Basha u ndal veçanërisht tek situata e rënduar shëndetësore në vend dhe mungesa e masave për të menaxhuar situatën nga ana e qeverisë.

Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të testimeve, çka e bën të pamundur në një anë identifikimin në kohë të të infektuarve me COVID-19 dhe trajtimin e tyre në mënyrë profesionale, dhe në anën tjetër shkëputjen e zinxhirit të infektimit. Sot, numri i të infektuarve është rritur dhe shtrirë kudo, fatalitetet po ashtu, ndërsa kapacitetet spitalore janë ezauruar. Shqipëria vuan dhe mungesën e stafeve mjekësore, pasi ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banor.

Për këto arsye, Kryetari Basha ka kërkuar ndihmën e vendeve anëtare të BE, që janë pjesë e PPE, për të asistuar Shqipërinë me furnizimin me vaksina kundër COVID-19. Shqipëria, tha zoti Basha ndodhet sot në krizë të thellë ekonomike, papunësia është rritur dhe shumica dërrmuese e qytetarëve nuk e perballojnë dot blerjen e medikamenteve anti-COVID, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri, janë me çmime më të larta se në çdo vend tjetër.

“Ndihma e vendeve tuaja me vaksina anti-COVID, në çfarëdo sasie që të jetë, është mëse e mirëpritur, dhe ne do t’ju jemi gjithmonë mirënjohës. Vendi im dhe qytetarët e mi, janë në një situatë tejet të vështirë, e cila sa vjen dhe po përkeqësohet. Prandaj, ju lutem na ndihmoni në këto kohë tejet të vështira”.

Kryetari Basha pati po ashtu biseda të veçanta me përfaqësues të qeverive të vendeve anëtare të BE, ku kërkoi ndihmë për vaksinën anti-COVID, biseda që do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në Asamblenë Politike të PPE, një vend të veçantë zuri dhe klima e rënduar politike, e diktuar nga ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor nga ana e mazhorancës, e cila prishi dhe marrëveshjen e arritur me mbështetjen e partnerëve europianë dhe amerikan.