Banorët e Dropullit: As në kohën e Enverit s’ka qenë kaq keq! S’kemi as doktor, as infermier, as transport…

Banorët e fshatrave të Dropullit prej vitesh vuajnë mungesën e transportit urban, gjë që i detyron të shpenzojnë shumë herë më shumë për marrjen e shërbimeve të tyre. Ata që e vuajnë më tepër janë të moshuarit, ndërkohë që transporti urban është përjashtuar nga ushtrimi i funksionit.

Një nga banorët shprehet se nuk kanë asnjë automjet transporti për të lëvizur një të sëmurë dhe se kjo situatë nuk ka ndodhur as në diktaturë.

“Nuk kemi për të lëvizur një të sëmurë, apo të blejmë diçka. Kjo nuk është parë edhe në sistemin e Enver Hoxhës nuk ka ndodhur”, u shpreh një nga banorët

Një tjetër thekson se detyrohen të paguajë 40 mijë lekë të vjetra taksitë për të shkuar nëpër institucionet shtetërore apo spitale pasi janë larg.

“Marrim taksinë e paguajmë 30 – 40 mijë lekë me pensione 100 mijë lekë të vjetra. Çfarë do bëjmë se duhet të shkojmë nëpër institucionet shtetërore, spitale, dhe të marrim ilaçe. Fshatrat këtu janë të vogla”, tha banori

Një banore thotë se nuk kanë si të shkojnë tek mjeku dhe se ka edhe një person tjetër të sëmurë tek shtëpia. Në këtë zonë mundon doktori, infermieri dhe se duan edhe një shofer për ti transportuar pasi janë larg.

“Me se të vete tek doktori kam një plak të sëmurë në shtëpi, nuk kemi as doktor, as infermierë as ilaçe. Duam një infermier, duam një makinë, shoferin  s’kemi drita”, theksoi banorja.

Një shpjegim për këtë anomali jep njëri nga operatorët e shërbimit të transportit urban i cili akuzon autoritete vendore dhe task forcën rrugore për këtë padrejtësi që u bëhet atyre çka reflektohet dukshëm tek konsumatori.

“Ne falimentuam si shoqëri por  e keqja ra tek populli, tek njerëzit që janë shumë larg”, tha operatori.