Rritja e infeksioneve e vdekjeve nga COVID-19, Basha: Duhet të dëgjoheshin mjekët, qeveria vendos vetë për gjithçka, jo ekspertët!

Kryetari Basha në emisionin “Këtë Javë” në News 24

Nisida Tufa: Çfarë duhet bërë tani zoti Basha kur jemi në këtë kushte që infektimet në 24 orë njohin vetëm rritje shifrash, është shtuar numri i personave që humbin jetën. Është hapur COVID 4 por kërkojnë shumë njerëz hospitalizim apo jo, dhe në momenti që ezaurohet e gjitha kjo, çfarë duhet bërë më mirë nga qeveria, sipas opozitës?

Lulzim Basha: Opozita e ka thënë, unë e kam thënë, Partia Demokratike e ka thënë fjalën e saj prej 27 shtatorit. Në vend që të përsëris planin me 5 pika dhe hapat të cilat do të kishin parandaluar këtë kolaps, më lejoni të flas me fjalët e atyre që kam takuar këto javë, fjalët e mjekëve, të punonjësve të tjerë të shëndetësisë, mjekëve të familjes, profesorëve të COVID 1, 2 dhe 3.

Me fjalët e pacientëve që kanë mbijetuar COVID-it dhe familjarëve të tyre të cilët e thonë fare qartë se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk është bërë. Të parët që duhet të ishin dëgjuar ishin mjekët. Vrejtjet e tyre dhe sugjerimet e tyre, bazuar në si është situata dhe cila është përvoja e vendeve të rajonit, nuk po themi të vendeve të Bashkimit Europian, kanë qenë dhe baza e planit me 5 pika që ne i vumë në dispozicion kësaj qeverie që prej datës 29 shtator. Dhe sot që flasim, asnjë nga këto hapa nuk është ndërmarë.

Të fillojmë me testimet, ne sot realisht vetëm mund të hamendësojmë se cilat përmasat e vërteta të infeksionit, se sa shqiptarë me të vërtetë infektohen çdo ditë. Sepse e dimë që raportimi i të infektuarve është në varësi të numrit të testimeve. Ndonëse pozitiviteti i këtyre testimeve ka arritur deri në 40% që do të thotë 4 në 10 të testuar kanë rezultuar pozitiv. Tani nuk ka nevojë të jesh ekspert i epidemiologjisë apo i shëndetësisë, se çdo qytetar e kupton që kur 4 në 10 dalin të infektuar që ti nuk po bën mjaftueshëm testime.

Duke mos testuar, ti nuk arrin dot të gjurmosh të infektuarit. Dhe kur nuk i gjurmon dot, nuk i izolon dot. Dhe kur nuk i izolon dot, ti nuk ndërpret dot zinxhirin e infektimeve, sepse çfarë ndodh? Çdo i infektuar i cili nuk është zbuluar apo konfirmuar si i tillë dhe vazhdon kontaktet me familjen, me miqtë, me kolegët në punë, faktikisht po shpërndan virusin. Në këtë moment që flasim po shpërndan virusin.

Nisida Tufa: A do të ndihmojnë testet e shpejta zoti Basha, këtë që ka vëna në dispozicion qeveria?

Lulzim Basha: Shumë pak është. Shumë pak është. Shumë vonë. Me shifrat e infeksionit që kemi aktualisht, ne duhet të administronim minimalisht sipas ekspertëve, 10 mijë testime në ditë. Bëhet fjalë, të shohim se sa do vijnë, bëhet fjalë për 100 mijë testime. Dhe në qoftë se ato administrohen sipas nevojave që ka tani Shqipëria, do të thotë 10 ditë testime. Pra, është shumë pak dhe shumë vonë.

Dhe po të shikojmë disa prej problemeve kryesore që thonë të infektuarit, apo pacientët që e kanë kaluar apo familjarët e atyre që janë ndarë nga jeta, është që nga momenti kur kanë pasur nevojën për testim, deri kur iu është bërë testimi, deri kur e kanë marrë përgjigjen, faktikisht ka kaluar i gjithë cikli i virozës. Dhe në rastin më të mirë me vështirësi të shumta shëndetësore dhe duke shkatërruar financat e familjes janë shëruar.

Dhe në rastin më të keq, janë ndarë nga jeta pa marrë akoma përgjigjen e testimit, por kjo e nxjerr jashtë loje testimin, se testimi ka pikërisht këtë detyrë, të përcaktojë sa më shpejtë diagnozën për t’i ardhur në ndihmë personit që mendohet se është infektuar.

Nisida Tufa: Dhe që në fakt nuk ndodh brenda 72 orëve.

Lulzim Basha: Aspak! Së dyti, nga kjo pastaj varet edhe ajo që thamë që personi mos të infektoj të tjerët. Ndërkohë që kam dëgjuar këtu, pak metra më tej në një takim me pacientët që në momentin që dikush sëmurej dhe shfaqte qartësisht simptomat e COVID-it, temperaturë, kollë, dhimbje trupore, lodhje, jo vetëm që nuk u bëhej testi, apo i bëhej një javë me vonesë, po nuk i bëhej as bashkëshortit apo bashkëshortes apo anëtarëve të tjerë të familjes, të cilët demionstronin simptoma të ngjashme.

Pra, dështimi i parë është dështimi me testimet. Dhe hapi i parë që ne kemi sugjeruar prej marsit dhe përsëri dhe përsërio në shtator ka qenë që qeveria të merrte përgjegjësitë e saj dhe të paktën të siguronte mjaftueshëë kite testimi dhe kapacitete testuese. Se ka dhe një problem tjetër. Nuk është thjeshtë sigurimi i tamponëve, i kiteve, është edhe kapaciteti i Shqipërisë, i shëndetit publik për të bërë të mundur që këto testime të kryhen.

Se ti mund të kesh 100 mijë testime, që siç thash prapë në pikëpamjen e atyre që e njohin këtë fushë, shqiptarëve në Shqipëri dhe jashtë vendit, mjekëve, ekspërtëve, janë të pamjaftueshme në këtë situatë. Janë të pamjafteshme. Por edhe sikur t’i kemi këto, ajo që kemi parë deri më sot është që sektori publik i shëndetësisë nuk ka arritur kurrë të kryej më shumë se 1300-1500 testime në ditë. Imagjinoni tani, dje kanë dal mbi 800 të infektuar.