Gjirokastra, aty ku kafsha e bashkisë i shpall luftë kafshëve të qytetit, qytetarët të revoltuar

Nga Jugunews.net/

Ka qenë një ditë e trishtë për gjirokastritin, Sokol Karaulli. Ai kurrë nuk e kishte imagjinuar që macet e tij të preferuara do të ishin helmuar.

– Ja me macet e mia të gjora, nuk i shpëtova dot, – shkruan Karaulli në faqen e tij sociale “Facebook”.

– Kush na i helmoi?, – pyet ai, – Kërkojmë ndihmën e autoriteteve për këtë makabritet dhe hetim të menjëhershëm, dhe, sakaq publikon dy fotografi të trishta për macet e tij.

Shumë gjirokastritë kanë shprehur zemëratën për këtë ngjarje të paprecedent në Bashkinë e Gjirokastrës.

– Ky është një veprim i organizuar dhe absolutisht gishti i drejtohet Bashkisë së Gjirokastrës, – thotë Emin Kokalari, një nga dy personat që denoncuan të parët helmimin masiv të kafshëve. Sipas tij, filmimet tregojnë që punonjësin e bashkisë kanë shpërndarë në mesnatë mish të helmuar. – Faktet janë kokeforta. Bashkia mban përgjegjësi për këtë masakër, – shprehet i bindur Kokalari.

Nga ana tjetër, Bashkia e Gjirokastrës ka mohuar kategorisht këtë veprim. Në një deklaratë të shkurtër në facebook, pushteti vendor thotë se administrata lokale ka treguar përkushtim për mbrojtjen e kafshëve.

“Ne i respektojmë dhe mbështesim projektet dhe konventat europiane për mbrojtjen e tyre. Kushdo që konstaton abuzim me kafshët t’i denoncojë në polici e prokurori. Pamjet e publikuara në mos janë dashakeqësi për të dëmtuar Gjirokastrën, janë të nxituara dhe që sërish bëjnë dëm në perspektivën tonë zhvillimore”, – thuhet në deklaratën e Bashkisë Gjirokastër.

Gazetari investigativ, Telnis Skuqi, e ka kundërshtuar deklaratën e Bashkisë së Gjirokastrës, në mënyrën e tij origjinale. Teksa ka publikuar deklaratën e plotë të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të shoqëruar me dy macet të helmuar, ai e përmbledh komentin e tij me shumë pak fjalë: “Bashkia e Gjirokastrës vërtetë nuk i vret kafshët, por helmin nuk e kursen për kafshët”.

Pas publikimit të lajmit nga jugunews.net për helmimin masiv të kafshëve në Gjirokastër
ka patur një sensibilitet të lartë të qytetarëve të cilët e dënojnë aktin brutal . Ndërsa të shumta kanë qenë kafshët e helmuara, veç atyre endacakë , fatin e keq e kanë patur dhe kafshë shtëpiake të ndryshme për të cilat poseduesit kanë shpenzuar shuma monetare veç përkujdesit ndaj tyre.

“Është njësoj sikur të ndahet nga jeta një i afërm .Të dënohen ata që e bën këtë”

“Turp , nuk kanë me çfarë të merren dhe helmojnë kafshët e gjora që nuk i bënin keq askujt.”

“Ata që e bënë nuk janë njerëz , nuk kanë shpirt , janë për burg”- janë disa nga komentet e qytetarëve të revoltuar.

Edhe ditën e sotme janë gjetur një qen husky dhe disa mace , të helmura nga i njëjti lloj helmi në lagjen “Granicë”.

Ajo çka qytetarët vazhdojnë e denoncojnë është fakti se shumë lagje të qytetit janë mbushur me helmin e dyshuar Metonil 20. Kudo në lagjet e sipërme të qytetit, në Granicë apo Kodra e Shtufit janë gjetur mace dhe qenë . Shumë nga qytetarët që e kanē denoncuar këtë makabritet thonë se disponojnë video të bizneseve, ku ka fakte se kamionçina të bashkisë kanë ngarkuar qenë të ngordhur dhe i kanë çuar në drejtim të paditur.

Vetë bashkia e Gjirokastrës sot ka hedhur poshtë akuzat duke i bërë karshillëk revoltës së qytetarëve duke i cilësuar keqdashje publikimin e pamjeve ku tregohej helmi i shpërndarë gjithandej, kafshët e ngordhura si dhe një punonjës i bashkisë.
Kudo në botë ligjet për ata që bëjnë akte të tilla ndaj kafshëve janë të rrepta dhe dënohen maksimalisht .

Helmimi i qenve endacak të cilët janë sterilizuar më parë është akoma edhe më shqetësues sepse çon dëm investimin për vaksinimin, sterilizimin dhe rehabilitimin e tyre. Situata me trajtimin e qenve endacak mbetet problematike në shumicën e bashkive në vend ndërsa ky fenomen ka këto përmasa askush nuk merr dënimin që meriton.