Skadon afati i masave shtrënguese, a do të shkojë vendi në izolim? Komiteti i Ekspertëve pret udhëzime nga Rama

Dita e sotme shënon ditën e fundit të masave kufizuese të pjesshme që u ndërmorën nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, tre javë më parë, dhe që përkonin me kufizimin e lëvizjes pas orës 22;00 të mbrëmjes. Masat hynë në fuqi më datë 11 nëntor ndërsa Komiteti njoftoi se do të zgjasin deri në tre javë dhe se do të rishikoheshin çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve.

“Këto masa do të hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në 11 Nëntor dhe do të zgjasin deri në 3 javë. Masat do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës dhe dinamikës së ngjarjeve”, njoftonte MSH.

Komiteti Teknik i Ekspertëve është në pritje të udhëzimeve të kryeministrit Rama për të dhënë një vendim të ri lidhur me masat kufizuese nëse do të vijojnë apo do të jenë të reja, ndërkohë që numri i infektimeve ditore vijon që të mbetet në një nivel shqetësues, ndërsa numri i pacientëve në spitale, arrin rekord ditë pas dite.

Dy ditë më parë MSH hapi dhe spitalin e katërt Covid në Tiranë, ndërsa në rrethe, edhe pse nuk deklarohet publikisht të gjitha spitalet rajonale kanë nisur të vënë në punë repartin Covid.

Nën zë flitet që mund të ketë një mbyllje të plotë të fundjavës, ndërkohë që masat shtrënguese nuk i përjashtoi as vetë kryeministri Edi Rama, gjatë një bisede që pati dje online më studentët.

”Nëse shohim fatalitetet edhe pse një jetë e humbur është shumë, jemi në ekuilibër. Askush, askund nuk i di të gjitha, mësojmë hap pas hapi. Për momentin nuk kemi paraprirë masa shtrënguese, por kjo nuk i përjashton masat shtrënguese”, u shpreh gjatë ditës së djeshme Rama.

Ndërkohë që prej ditës së djeshme edhe mësimi në shkolla do të jetë i alternuar, disa ditë online dhe disa ditë të tjera fizikisht për klasat nga 6-11. Vetë ministrja Kushi tha se ministria që drejton është e përgatitur për çdolloj skenari, qoftë edhe atë të mbylljes së plotë të shkollave, dhe mësimit tërësisht online.

Nëse qeveritë e të gjitha vendeve, kanë dhënë sinjale sesi qytetarët e vendeve të tyre do ti kalojnë Krishtlindjet apo Vitin e Ri, në vendin tonë plane të tilla nuk shkojnë ende në mendje, dhe duket se qeveria po heziton të ndërmarrë masa shtrënguese, pasi kjo padyshim që do të kërkonte dhe një mbështetje financiare ndaj bizneseve të prekura, apo dhe ndaj vetë qytetarëve që do të humbisnin punën e tyre.

eksperte 780x405 1