Pse zgjedhjet e lira janë kryekushti për hapjen e negociatave?

Nga Red VARAKU
E gjithë propaganda e rilindjes ka vetëm një qëllim: të shmangë sa më shumë të vërtetën që arsyeja e bllokimit të negociatave janë zgjedhjet e ardhshme. Pra, të fshehë sa më shumë thelbin e mesazhit të BE që zgjedhjet e lira janë kushti kryesor për hapjen e negociatave.
Në formulimin e idesë, në histerizmin e mercenarëve mediatikë, në ndërtimin patetik të argumentit, ndjehet sforcimi për të zhvleftësuar procesin e integrimit dhe përpjekja për të fshehur të vërtetën e madhe që zgjedhjet e ardhshme janë kryekushti për hapjen e negociatave.
Madje sipas tyre, deklarata e BE jo vetëm nuk bën përgjegjëse qeverinë, por është një çlirim nga përpjekja tinëzare sipas tyre e opozitës, që vazhdon të thotë akoma se zgjedhjet e lira janë kusht për hapjen e negociatave.
Por, e vërteta është që e gjitha kjo përpjekje bie dhe rrëzohet menjëherë sapo përballet me një të vërtetë të thjeshtë dhe të pastër.
Procesi i integrimit është thjesht një mekanizëm presioni për përmirësimin e demokracisë, nëpërmjet kushteve që BE vendos mbi qeveritë e korruptuara të vendeve që duan të bëhen anëtare të BE.
Në rastin tonë BE na ka vendosur 15 kushte për avancimin e procesit për Shqipërinë. Dihet që kryekushti është reforma zgjedhore dhe zbatimi i saj, që do të thotë troç aplikim i saj në zgjedhjet e prillit. Thënë shkurt pa zgjedhje të lira nuk ka negociata dhe sigurisht vendimi për negociatat do të jepet pas zgjedhjeve të prillit.
Me sa duket ata sikur e ‘harrojnë’ më shumë se shpesh, që thelbi i krizës shqiptare lidhet ekskluzivisht vetëm me trafikimin e vullnetit të qytetarëve, ose ndryshe me manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017 nga kjo qeveri.
Kjo ishte arsyeja se pse opozita shqiptare mori dy vendimet më të forta të ndërmarra ndonjëherë në politikë shqiptare vendimin për djegjen e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë dihet botërisht që garant kryesor për zgjidhjen e krizës nuk është qeveria, por është qartazi Bashkimi Europian dhe çdo devijim nga ky arsyetim nuk prodhon asgjë, përveç se faqes së zezë për atë që e bën.
Pavarësisht silogjizmave dhe sofizmave pa thelb, askush nuk e ka akoma një shpjegim tjetër bindës për bllokimin e integrimit për shtatë vjet me rradhë, përveç se dështimit të qeverisë dhe presionit që BE po bën për largimin e saj.
Shmangja nga përgjegjësia për dështimin për të shtatin vit rresht dhe fajësimi i opozitës për këtë, është një version jo vetëm fyes, por edhe krejtësisht pa imagjinatë.
Ndërsa fajësimi i Europës sikur kjo po ndodh për shkak të problemeve të brendshme të saj dhe nuk e do zgjerimin, hidhet poshtë nga një fakt shumë i thjeshtë, fakti që Maqedonia e tejkaloi këtë fazë.
E vërteta është që Europa e ka vërtet një problem, por problemin e ka vetëm me këtë qeveri dhe kjo duket ashiqare, ndaj po e kushtëzon integrimin me zgjedhje të lira.
Të mos e kuptosh këtë edhe pas shtatë vjetësh bllokim nuk mjafton të jesh thjesht adhurues qorr i Edi Ramës, por njëkohësisht duhet të jesh dhe një qenie inferiore, pa dinjitet.