Mijëra banorë në çadra, Veliaj jep qindra milionë lekë shpërblim për vartësit!

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka akorduar një fond prej disa qindra milionë lekësh në formë shpërblimi për të gjithë punonjësit në varësi të tij.

Me një Urdhër të nënshkruar në datën 27 Nëntor 2020, Veliaj ka vendosur shpërblimin, duke nisur nga një pagë mujore e deri në 17 mijë lekë të reja, për disa qindra individë që kanë populluar strukturat në Bashki, si edhe agjencitë e tjera vartëse.

Argumenti zyrtar për këtë shpërblim është ai i përballimit të pasojave të fatkeqësive natyrore që kanë prekur Bashkinë e Tiranës në vitin 2020.

Përfituesit e radhës së parë, sipas Urdhërit të Veliajt, janë nëpunësit që kanë trajtuar pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.

Bëhet fjalë kryesisht për punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe njësive administrative, të cilët janë angazhuar në vlerësimin e dëmeve, përzgjedhjen e përfituesve nga programet e rindërtimit dhe sekretariatet teknike.

Të gjithë këta persona do të përfitojnë një pagë mujore bruto shpërblim, ndërkohë që në Tiranë ende nuk ka nisur ndërtimi i asnjë kompleksi banimi për qytetarët, të cilët humbën banesat e tyre dhe që vijojnë të jetojnë në kushte aspak komode.

Më pas, grupi i dytë i përfituesve, janë punonjësit në një seri të gjatë agjencish vartëse të Bashkisë së Tiranës, përfshirë Tirana Parking, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, Drejtorinë e Objekteve Publike, Gjelbërimit, Drejtorinë e Taksave, e të tjerë.

Këta punonjës do të shpërblehen me 17 mijë lekë të reja për rezultate në përballimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë Covid-19.

Përtej dëshirës së mirë për të mbajtur punonjësit të karikuar, vendimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duket absurd në pjesën më të madhe të tij, sidomos në një periudhë kur financat publike janë në një moment shumë të errët.

Në Urdhërin e Veliajt bie në sy se, do të fitojnë shpërblim për punë të mirë, ndër të tjerë, punonjësit e “Tirana Parking”. Është e paqartë se çfarë roli kanë pasur individët në këtë strukturë në përballimin e pandemisë apo të pasojave të tërmetit.

Gjithashtu, do të përfitojnë dëmshpërblim punonjësit e Taksave dhe Tarifave Vendore. Ndoshta lodhja e tyre më e madhe ka qenë praktika për mbylljen e mijëra bizneseve të vogla në Tiranë, të cilat e panë veten drejt falimentit për shkak të politikave aspak miqësore ekonomike të qeverisë.

Gjithashtu, shpërblim do të përfitojnë punonjësit e Policisë Bashkiake. Me shumë mundësi, ata do të jenë ndjerë të lodhur nga sasia e madhe e gjobave që kanë vendosur ndaj qytetarëve.

Përfitues janë edhe punonjësit e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Gjatë të gjithë periudhës së pandemisë, kjo strukturë ka bërë vetëm një lavazh, sa për të dalë në media, të rrugëve bosh të kryeqytetit në ditët e mes-Marsit, si edhe më tej ka bërë tendera për blerje makinerish dhe pajisje pastrimi./Boldnews.al

dddb2dad 7ee8 482e 8210 5c3777f8a755

054fd7ae d32b 4ec0 b672 208d6760e45c