Gjykata pushon hetimet për ish-kryebashkiakun Ramës, ishte i dënuar në Itali për…

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për pushimin e hetimeve ndaj ish-Kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri. I zgjedhur në krye të Bashkisë së Shkodrës në votimet farsë të 30 qershorit, ai u mor i pandehur për falsifikim të formularëve, pas denoncimeve nga PD.

Sipas hetimeve, Pjetri nuk kishte deklaruar hetimin dhe dënimin në shtetin italian për shkelje të ligjit për lëndët narkotike. Por pas disa muajësh hetime, Prokuroria vendosi të dërgojë për pushim çështjen në gjykatë, me argumentin se vendimi i gjykatës italiane nuk e detyronte Valdrin Pjetrin ta deklaronte atë.

Sa i takon çështjes në Itali, Valdrin Pjetri ka pranuar akuzën dhe dënimin e menjëhershëm. Pjetri është dënuar me 18 muaj burg i cili është pezulluar nga gjykata. Në shkurt të vitit 2003, Valdrin Pjetri është dëbuar nga Italia me vendim gjykate, për 7 vite rresht.