Pensionisti-Bashës: Paguajmë 80 mijë lekë vetëm për energjinë! Ilaçet nuk i përballojmë dot!

Robert Martini, një qytetar në pension që priti sot për vizitë kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, gjatë bisedës tregoi se kostoja e jetës ishte e papërballueshme, faturat dhe çmimet ishin rritur. Roberti tregoi rastin e bashkëmoshatarëve të tij që detyrohen te marrin bukë të ndenjura vetëm se kushtojnë më lirë.

Robert Martini: Mund të flasë qeveria, jep mballoma, jep pankarta, jep ashtu po kur vjen puna tek moj ta marrça, lek vjen e lek nuk e dimë se ku shkon! Mua shyqyr Zotit nuk më ka ndodh por me çfarë dëgjoj, me shku nëpër farmaci me marrë ilaçe…. Nuk e përballojmë! Paracetamol, jo, jo vitamina e çfarë janë ato – jo e jo nuk i përballojmë dot. 80 mijë lekë shkon energjia, telefoni kjo e ajo. Edhe shokët e mi që kanë dalë në moshën time me 23 vite pune, po deshe ju jap emra, me 110 mijë lekë. Ja të them sinqerisht te furra ke bukë të ftohtë. Buka e ftohtë është 300 lekë, ja kështu…

Lulzim Basha: Një 20 mijë lekësh i kërkuam ne, 2 muaj, lekë të vjetra për pensionistë.

Budulina Martini: Po të paktën të maskës edhe dezenfektantët!

Kryetari i Partise Demokratike theksoi se është jetike që paratë të shkojnë tek qytetaret dhe jo te tenderat dhe koncensionet korruptive. “Njerëzit e kuptojnë shumë mirë. Ditë për ditë shohim pagesa qindra milion lekë që shkojnë për 3-4 veta. Ndërkohë që qindra mijë shqiptarë nuk marrin as 5 lekë. Kjo është e papranueshme.

Dhe kjo tregon që lekët janë, siç janë edhe në Kosovë edhe në Maqedoni. Atje shkojnë për familjet në nevojë, shkojnë për bizneset. Këtë po i kërkojmë neve sot. Dhe nuk e bëjnë. Pse? Sepse se kanë prioritet jetën dhe shëndetin e njerëzve edhe në kohë pandemie. Në veçanti tani që qeveria nuk kujdeset për njerëzit duhet të kemi kujdes të dyfishtë. Edhe biznesit mund t’i japim të paktën atë ndihmë që i jep Kosova, të paktën që i jep Maqedonia se kjo është krizë e 3-4 fish. E para është vetë koronavirusi.”

Zoti Basha shprehu shqetësimin se jashtë vemendjes po mbeten sëmundjet e tjera. “Nuk është krizë e thjeshtë dhe këtu secili duhet të bëjë detyrën e vet. Kollaj t’i thuash mjekut bëj detyrën tënde apo infermierit edhe qytetarit mbaj maskë se përndryshe do të gjobis. Po ti si qeveri, çfarë po bën?!

Është i vetmi që s’po bën detyrën e vet. Jo vetëm për faktin që ka 120 ditë që s’shkon në punë, por edhe ata që i ka ngarkuar të firmosin në emër të tij, firmat i hedhin të gjitha për t’i çuar lekët e shqiptarëve te inceneratorë”.

Partia Demokratike që para fillimit të valës së dytë propozoi një plan me 5 pika për të mbështetur shqiptarët në përballjen me krizën e thellë ekonomike dhe shëndetësore për shkak të COVID-19.

Një nga pikat e planit ishte dhe ajo për mbështetje me 20 mijë lekë të vjetra për pensionistët që të blejnë maska dhe dezinfektantë për prandalimin nga infektimi.

Plani i propozuar nga PD nuk u pranua nga qeveria, e cila ka braktisur qytetarët e veçanërisht pensionistët.