Janë çmendur, vjedhje 200 milionë USD me koncesionin e kolaudimit të makinave nga 1 janari

Ekonomisti Klodian Tomorri ka treguar se qeveria do të japë me koncesion kolaudimin e makinave.

Në një postim në faqen e tij në Facebook, më 1 dhejtor, Tomorri shkruan se kontrata me SGS, kompaninë koncesionare mbaron më 31 dhjetor dhe qeveria “nën petkun e liberalizimit, do të jepet sërish me koncesion shërbimin për 200 milionë euro.

Sqarimin e plotë të Tomorrit mund ta lexoni më poshtë:

Pak ditë më parë përmes një shkrese zyrtare, Ministria e Infrastrukturës ka urdhëruar kompaninë koncesionare SGS që të transferojë në pronësi të shtetit Qendrat e Kontrollit Teknik të mjeteve si dhe të gjitha asetet e tjera të koncesionit për kolaudimin e makinave.

Në të njëjtën shkresë urdhërohet Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, që të marrë në pronësi asetet e koncesionarit brenda datës 31 dhjetor të këtij viti për shkak të përfundimit të kontratës.

Sipas skemës së përgatitur nga qeveria, shërbimi i Kontrollit Teknik të automjeteve do të ndahet në dy procese. Procesi i parë është ai kontrollit Teknik, që aktualisht kryhet nga kompania SGS.

Pas 1 janarit të vitit të ardhshëm, kolaudimi i automjeteve do të kryhet nga disa kompani njëherësh, që do të licencohen për këtë qëllim duke dhënë kështu idenë e liberalizimit të tregut.

Por të gjitha këto kompani apo servise që do të licensohen për të bërë kolaudimin e makinave, do mbikqyren nga një koncesion monopol.

Në relacionin e buxhetit të vitit 2021, qeveria ka zbuluar se kompania, e cila do të marrë monopolin e mbikqyrjes së infrastrukturës dhe bazës së të dhënave të privatëve që do të bëjnë kolaudimin, do të paguhet direkt nga buxheti i shtetit dhe fatura e saj për qytetarët do të jetë plot 200 milionë dollarë.

Pra skema e qeverisë i ngarkon qytetarët me pagesë dyfishe për kolaudimin e makinave. Së pari, kur të bëjnë kolaudimin e makinave do të paguajnë tarifë tek kompanitë private njësoj si sot. Por veç tarifës së kolaudimit që paguajnë qytetarët, buxheti I shtetit do të paguajë edhe 20 miliardë lekë të tjera për kompaninë koncesionare, e cila do të mbikqyr kompanitë e kolaudimit.

Ministria e Arsimit hedh poshtë kërkesat e maturantëve: Testi i gjuhës shqipe në rregull
I gjithë ky projekt është një marrëzi e mirëfilltë ekonomike. Për ta ilustruar këtë mjafton vetëm një fakt i thjeshtë. Vetëm fatura 200 milionë dollarë, që do të paguhet nga buxheti për koncesionarin e mbikqyrjes së kolaudimit është më e madhe se sa e gjithë fatura që qytetarët kanë paguar në 10 vjet për koncesionin ekzistues të SGS-së.

Nëse shtohet edhe fatura që qytetarët do të paguajnë përmes tarifës tek kompanitë e kolaudimit pas 1 janarit, atëherë shërbimi i kontrollit Teknik të mjeteve në dhjetë vitet e ardhshme do të kushtojë të paktën 2 herë më shumë nga sa kushton tani.

Nga ana tjetër urdhri i Ministrisë së Infrastrukturës, që detyron Drejtorinë e Shërbimit të Transportit të marrë në pronësinë e shtetit asetet e koncesionit ekzistues deri në datën 31 dhjetor të këtij vitit, sinjalizon se koncesioni i ri mund të jepet përpara zgjedhjeve të 25 prillit.

Ky është një koncesion, pa asnjë llogjikë ekonomike dhe financiare i shpikur vetëm për të zhvatur qytetarët dhe buxhetin. Si i tillë, ky projekt duhet penguar me çdo kusht dhe me çdo formë.

Koncesioni ekzistues i kolaudimit u dha si monopol dhjetë vjeçar tek kompania SGS, me argumentin se kompania private do të investonte 8 milionë euro për të ngritur qendrat e kontrollit teknik të mjeteve. Tashmë Shqipëria ka 13 qendra moderne për kontrollin Teknik të mjeteve, në çdo rajon.

Dhënia e një monopoli të ri pa kryer asnjë investim dhe me faturë dyfishe për qytetarët nuk ka asnjë shpjegim racional apo logjikë ekonomike, përveçse atë të aferës përpara zgjedhjeve.

Shërbimi i Kontrollit Teknik të mjeteve mund të liberalizohet, por mbikqyrja duhet të mbetet shërbim shtetëror. Ky është një shërbim që fare mirë mund ta kryejë edhe vetë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, pa patur nevojë që buxheti të paguajë 200 milionë dollarë.