Zëri i Amerikës: Rekord viktimash nga Covid-19 në Shqipëri, ulet numri i tamponëve

Në Shqipëri java e shkuar shënoi një tjetër rekord të vdekjeve nga Koronavirusi, ndërsa rastet e reja u ulën, paralelisht me reduktimin e testimeve.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës dëshmojnë se 94 persona, ose 9 më shumë se një javë më parë, humbën jetën në spitale, shifra më e lartë e rregjistruar deri më tani. Vetëm në 24 orët e fundit pati 12 viktima: 5 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetare nga Patosi, 1 qytetar nga Gramshi, 1 qytetar nga Puka, 1 qytetar nga Shkodra. Në total, deri më tani, janë 810 persona të cilët kanë humbur jetën.

Ndërsa numri i vdekjeve u rrit, rastet e reja shënuan ulje me 9.8 përqind, duke zbritur në një total javor prej 4.626 të prekurish, ose një mesatare ditore prej 660 rastesh. Ulja duket se i dedikohet reduktimit, me mbi 11 përqind, të numrit të testimeve, të cilat, javën e shkuar ranë në 15.244 tamponë, me një mesatare ditore prej 2177 testimesh.

Në 24 orët e fundit u kryen 1948 tamponë, nga të cilët u konfirmuan 557 raste të reja: 254 raste në Tiranë, 46 raste në Durrës, 38 raste në Lezhë, 31 raste në Vlorë, 27 raste në Elbasan, 25 raste në Shkodër dhe Korçë, 22 raste në Lushnje, 16 raste në Sarandë, 13 raste në Krujë, 11 në Gjirokastër, 8 raste në Kavajë, 7 raste në Fier dhe Has, 6 raste në Kolonjë, 4 raste në Kukës dhe Gramsh, 3 raste në Devoll, Mat, Pogradec, 1 rast në Kurbin, Pukë, Berat, Skrapar.

Tkurrja e numrit të të prekurve nuk duket se reflekton ndonjë tendencë rënëse të përhapjes së pandemisë, përsa kohë pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe numrit të testimeve) u rrit sërish duke u ngjitur në një mesatare të lartë javore prej 30.3 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Pasqyrë e kësaj situate është rritja progresive e atyre që kërkojnë trajtim spitalor. Në të tre strukturat COVID, deri pasditen e sotme rezultonin të shtruar 491 persona, nga të cilët 25 në terapi intensive dhe 7 të intubuar. Të hënën e kaluar në spitale ishin 439 pacientë./VOA/