Nuk ndalen vetëvrasjet e pacientëve me Covid-19 në spitale, kush është viktima e pestë

Identifikohet pacienti 60-vjeçar, që i dha fund jetës mesnatën e kaluar, duke u hedhur nga Spitali COVID-2 “Shefqet Ndroqi”.

Raportohet se i ka dhënë fund jetës në mënyrë tragjike shtetasi Leonard Skabona, nga Rrësheni.

60-vjeçari ishte shtruar prej 10 ditësh te “Shefqet Ndroqi”, pasi ishte infektuar me koronavirus, por gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar.

Ai është hedhur nga dritarja e dhomës së tij, në një moment kur lëvizjet e mjekëve kanë qenë të reduktuara.

60-vjeçari është rasti i pestë në spitalet COVID Tiranës, që i jep fund jetës tragjikisht duke u hedhur nga lartësia.

Vetëm tre javë më parë te spitali COVID1, Infektivi, u vetëvra pacienti 69-vjeçar nga Fieri, Reshit Grembi. Ai u hodh nga kati i tretë i spitalit ku ishte shtruar prej dy ditësh për t’u kuruar nga koronavirusi.

Tre vetëvrasjet e tjera të mëparshme, janë regjistruar te spitali COVID2, “Shefqet Ndroqi”.

Rasti i parë ndodhi në muajin gusht. Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Xhino Koça. Më pas, një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në shtator ku humbi jetën Hasan Mira rreth 65 vjeç. Ky i fundit ishte vjehrri i deputetit të PS në Kurbin, Gjetan Gjetani.

Rasti i tretë u regjistrua në nëntor, më konkretisht më 1 nëntor. Ishte 53-vjeçari me iniciale Preng Gjonaj nga Tropoja i cili në kushte të rënduara psikologjike zgjodhi t’i jepte fund jetës në mënyrën më tragjike.