Ballina Bota & Rajoni Hiqet shtatorja e Adem Jasharit në Prizren pas kritikave

Hiqet shtatorja e Adem Jasharit në Prizren pas kritikave

Pas kritikave të shumta dhe debateve është marrë vendimi që shtatorja e Adem Jasharit e vendosur në Prizren më 28 nëntor të rimodelohet. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i “Abi Çarshia”, kompleks pranë së cilit është vendosur kjo shtatore.

“Do të largohet përmendorja e Adem Jasharit për rikonstruktim dhe rimodelim të saj për shkak të kritikave të marra. Besoj se me shumë gjasë nesër ose më së largu gjatë kësaj jave do të largohet. Ky është vendim i përbashkët me skulptorin e kësaj vepre. Nuk dihet se për sa kohë do të përfundojë rimodelimi”, – ka nënvizuar ai.

Shtatorja e Adem Jasharit, e përuruar të shtunën në ambientet e qendrës tregtare “Abi Çarshia” në Prizren dhe statuja e Skënderbeut po në këtë qytet janë kritikuar nga shumë qytetarë dhe ekspertë të fushës. Madje është kërkuar edhe heqja e tyre.

Ende nuk ka një vendim se çdo të bëhet me shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka u shpreh se projekti për statujat ishte iniciativë e diasporës shqiptare në Zvicër, e cila kishte shfaqur dëshirën të bënte një dedikim për heroin kombëtar në ditën e Flamurit.

“Në lidhje me statujën e “Skënderbeut” më kanë thënë se duan të krijojnë një imazh të tij në moshë më të re. Unë e kam parë në prototip dhe me ka pëlqyer, por tani janë mendime dhe këndvështrime të ndryshme. Shtatoren e përfunduar e pashë në inaugurim. Kërkesa nga fillimi dhe iniciativa ka qene e shoqatave të diasporës. Ne thjesht kemi dhënë lejen për vendosjen e saj”, – tha Haskuka.

Exit mobile version