Çfarë do të ndodhë me shërbimin e kolaudimit nga Janari

Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të mos rinovojë kontratën për koncesionarin e kolaudimit të automjeteve.

Përmes një shkrese kompanisë i është kërkuar të nisë dorëzimin e paisjeve, të cilat do të administrohen prej Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor.

Po ashtu mësohet se ky shërbim që nga janari i vitit që vjen do ti kalojë shtetit.

Në fakt Kontrata koncesionare e kolaudimit te makinave përfundoi afatin 10-vjeçar në shtator të vitit 2019, por qeveria vendosi ta shtyjë edhe me 16 muaj të tjerë vlefshmërinë e saj deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Për shkak të problematikave të shfaqura gjatë kohëzgjatjes së koncesionit, vazhdimisht është kërkuar që të ketë një decentralizim të këtij shërbimi.

Në këtë rast do të ishin kompanitë koncesionare të automjeteve, apo dhe pikat e mëdha të shërbimeve të automjeteve që mund të ofronin kolaudimin, duke shmangur rradhët e gjata por edhe duke krijuar një garë sa i përket parametrave të shërbimit.

Në këtë rast përmes konkurrencës pretendohej rritja e cilësisë së shërbimit, por edhe reduktim të tarifave për qytetarët dhe kompanitë që kryejnë kontrollin periodic të automjeteve.

Një tjetër mundësi është dhe administrimi nga DPRRTSH, por edhe në këtë rast nga grupi i punës është propozuar që të ketë një reduktim të tarifës.

Burimet shprehen se varianti i dytë është më i pranueshëm të paktën deri në zgjedhjet e 25 prillit.

Por liberalizimi i tregut gjithësesi nuk përjashtohet nga ekspertët. Sipas të dhënave ky treg qarkullon rreth 8 milion euro në vit ndërkohë që numri i automjeteve në qarkullim ka ardhur gjithnjë në rritje.