Asnjë lajm nga fronti i rindërtimit!

Nga Çlirim GJATA
Sapo kaloi një vit nga tërmeti i 26 nëntorit me pasojë 51 viktima, bashkombas dhe bashkqytetarë tanë dhe mijra banesa, objekte arsimore e të tjera, të shkatërruara, ose dëmtuara deri jashtë funksionit.
Çfarë është bërë gjatë këtij viti? A kemi ndonjë lajm?
Buxheti i planifikuar per rindërtim nga qeveria është 598 milion Euro. Nga këto 320 milion Euro janë akorduar vetëm për vitin 2020. Këtu nuk po flasim për ato 1miliard eurot e famshme të akorduara nga BE, në formë kredish të buta dhe grantesh, por vetëm për buxhetin e shtetit.
Pra, çfarë lajmesh kemi nga të paktën këto 320milion Euro të vitit 2020?! Nëse lajm quhen premtimet e para një viti, po, kemi. Në dhjetor 2020, tha kryeministri nuk do ketë familje pa shtëpi; dhe në shtator, tha kryeministri, nuk do të ketë shkollë jashtë funksionit.
Ku jemi sot??
ASNJË pallat i rindërtuar, askund. Nga 3,389 banesa individuale të shkatërruara në total, janë rindërtuar vetëm 89 syresh. Po 3300 të tjera? Do ngrohen në diell, si te ai filmi? Ku ta gjenim, por po kalojnë dimrin e dytë në çadra, me gra e fëmijë, pleq e të sëmurë.
ASNJË objekt arsimor nuk është vënë në funksionim. Nga 300 objekte arsimore(shkolla fillore, 9-vjeçare, të mesme, kopshte e çerdhe) të shëmbura, ose dëmtuara janë ndërtuar vetëm 10 të tilla dhe këto nuk janë vënë në funksion. A po! Deri tani qeveria ka prokuruar(vetëm prokuruar) 63 objekte arsimore(nga 300), që do të thotë se ka zhvilluar tenderat për to dhe diku janë dhënë paratë. Po shkolla nichts! Në shtator, tha Rama, por shtatori për të nuk ka ardhur akoma.
Pra, nga 320 milion Euro të vitit 2020 kemi si lajm vetëm 89 banesa individuale dhe 10 shkolla të reja(pa funksion). Ku kanë shkuar paratë? Asnjë lajm!
Por, le të shohim se, ndoshta gjejmë diçka. Rasti më tipik është një VKM nr.202, dt. 05.03.2020, për “Përdorimin e fondit të rindërtimit….”, e cila nga data e daljes deri më find të shtatorit ka ndryshuar 5 herë. Dhe vetëm një fakt po përmend nga këto ndryshime. Fondet e muajve Gusht/Shtator 2020 u ulën me 52% të fondit te planifikuar, jo pak por 24 milion EURO.
Ku shkoi më shumë se gjysma tjetër e parave për këto dy muaj?? Keni dëgjuar gjë për ato inceneratorët?!
Nuk u respektua ligji për prokurimin publik, por u operua me VKM, që kryeministri ti kishte duart e lira – vetë zot e vetë shkop. Pra të vendoste tenderat me paracaktim dhe me procedurë të kufizuar. Gjithashtu fondet për lëvrim u përqëndruan vetëm në dy duar, Bashkia Tiranë dhe FShZH(Fondi Shqiptar i Zhvillimit). Bashkia Tiranë për territorin e pashait të bashkisë dhe FShZH-ja për gjithë pjesën tjetër. Pse nuk iu ju la e gjitha FShZH-së, por u nda Bashkia Tiranë. Kjo pra është ndarja e llokmave. Pse si kujtoni, se nga 320 milion Euro ky i bashkisë do rrinte pa gjë?? Si ta bëjë fushatën pastaj??
REZULTATI? Tendera të përqëndruar në dorën e një grupi klientesh, kontrata të lidhura nga miq besnik pavarsisht kapaciteteve te kompanive e tyre, përqëndrimi i fondeve, se duhen edhe për fushatë e kështu të gjithë të kënaqur besoj?!
Por ka dhe më – thotë një tjetër batutë filmi, në lajmet nga fronti i rindërtimit. Një kompani, “Kevin Konstruksion” brënda një muaji, FShZH e shpall fitues në 3 procedura prokurimi (03.09.2020, 09.09.2020 dhe 25.09.2020) me vlerë totale 34.8 milion Euro, për të ndërtuar 1,420 banesa individuale dhe shkolla në Mamurras me 98% te fondit limit. Pra kjo kompani merr brënda një muaji jo pak, por 34milion e 800mijë Euro. Dhe administrator i kompanisë në fjalë është nipi i Safet Gjicit që drejton fushatën e PS në qarkun e Kukësit. Dhe ne po kërkojmë se ku shkuan paratë, të cilat për një vit do të mbyllnin gjithshka.
Po në Tiranë sa mbroth po ju shkojnë këto punë? Shumë e thjeshtë! Kostot e ndërtimit për objektet që prokurohen nga qeveria shqiptare janë më të larta se kostot e ndërtimit të prokuruara nga BE. Pra një m2 rindërtim në Tiranë, kushton ku e ku më shumë se një m2 në Berlin.
Sipas standardeve që vetë shteti përdor, përmes EKB (Entit Kombëtar të Banesave), çmimi për ndërtim i një metri2 është rreth 32mijë lekë(320mijë të vjetra). Sipas letrave që ka bërë Erion Velia, një m2 tek zona 5maji do të kushtojë rreth 58mijë leke(580mijë të vjetra). Çmimi është gati dyfishuar. Dhe ka jo pak por, një fond prej 52milion Euro për këtë punë. Po pse EKB –në do pyesë Erion Velia?!
Kemi dhe pandeminë, vërtetë. –Nuk do na pengojë pandemia, tha kryeministri në mars, për rindërtimin. –Na pengoi pandemia, tha kryeministri tani në nëntor, për rindërtimin. Ec e gjeje kë të besojmë: kryeministrin, apo kryeministrin?!
Po kullat e Erion Velisë, qark nëpër Tiranë, si dreqin ishin në themele në mars kur filloi karantina dhe janë në katet e 20-30-ta sot që flasim. Po aty u punua me tre turne duke shkelur edhe ligjin e qevrisë për mbylljen dhe rrezikimin e jetës së puntorëve, sepse janë kulla, ndërsa për banesat dhe shkollat e tërmetit nuk u gjënd asnjë turn për be.
Pra nga rindërtimi nuk asnjë lajm, me përjashtim të faktit që qytetarët me familjet e tyre do kalojnë edhe këtë dimër në çadra dhe fëmijët e shkollave do jenë në mëshirë të fatit e të pashkollë edhe pas një viti nga fatkeqsia e tërmetit.
Po kryeministri ku është? Në avion për Dubai, jo në autobuz.
11 15
22 12