Filmi i radhës i kryeministrit me Urgjencat Mjekësore!

Nga Ilir ALLKJA
mjek

FILMI ME URGJENCAT MJEKËSORE!

(ose furgonët e perimeve)
Ashtu si çdo dite edhe sot nuk mungoi filmi i radhës i kryeministrit, sot titulli ishte: Urgjenca Kombëtare.
Si gjithmonë në fillim filmi bardhë e zi, njësoj si filmat e realizmit socialist të partisë së punës (ish-partia socialiste), më pas e tashmja e lumtur, sipërore me ngjyrat e ylberit.
Në fillim të filmit ambulanca pa ngjyrë, pa pajisje, pa stafe, asnjëherë gati për qytetarët, me telefon analog, dhe kjo mënxyrë para se në pushtet të vinte rilindja.
Krejt ndryshe pas 2013-ës, ambulanca moderne, plot me aparatura, veshje speciale, telefoni digitale, operatorë artistikë, porfesorë-doktorë gati për të sëmurët.
E bukur, tejet e bukur, e unë pêr pak do të duartrokisja nqs do isha thjesht teleshikues i ERTV. Në fakt unë jap çdo ditë shërbim qytetarëve në ato furgonë, ndërsa njerezit prekin, shohin e provojnë perditë realitetin “10 herë më mirë se sa Gjermania e 50 herë më mirë se sa Italia”.
Me filmat e tyre rilindasit do të duan të bindin brezat që do të vijnë se Rama ka shpikur elektricitetin, telefoninë, kinematografinë, televizionin e madje edhe pikturën.
Gjithsesi unë ftoj gazetarët me integritet që të futen me kamera në cdo ambulancë në shërbim të qytetarëve e të xhirojnë me kamera bordet e tyre, barrelat e ndryshkura, monitorët defektozë, inventarin e barnave në to. Te kontrollojnë nëse ka apo jo pajisje intubimi, mikrokirugjie dhe ti krahasojnë me ambulancat që përdor Greqia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, sepse me Gjermaninë e Francën nuk kanë lidhje, jua them unë.
A e dini ju lexues se “autoambulancat” e reja, FORD prodhim të vitit 2018, të cilat janë në shërbim nëpër Tiranë e Shqipëri nuk kanë pajisjet bazë për sigurinë e stafeve mjekësore?
Qeveria pall se gjoja i vlerëson mjekët, sidomos jetët e tyre , mos e harroni këtë.
Këto ambulanca nuk kanë as airbag për pasagjerët ( në këtë rast për ekipet mjekësore), gjë që vërteton se janë thjeshtë furgonë malli, furgonë perimesh të përshtatura në ndonjë garazh të Tiranës.
Kjo klasifikohet si abuzim me paratë e taksapaguesve, por së pari me shëndetin e sigurinë e njerzve, stafeve mjekësore.
Ja pra zoti kryeministër, ti don ti ngjasosh Hans Andersen, por je tejet grotesk ne krahasim me të, mgths je më modern pasi jeton në shekullin e teknologjisë.
Gjithsesi, prapëseprapë mbreti mbetet lakuriq!