Basha: 28 Nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme dhe më afër Europës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në varrezat e Deshmorëve të Kombit, në përkujtimin e ditës së Pavarësisë dhe Çlirimit të Atdheut. Basha vuri një kurorë me lule në Monumentin “Nënë Shqipëri”.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë dhe Festës së Flamurit, dua t’ju uroj të gjithë qytetarëve dhe bashkëkombasve të mi kudo ku janë, gëzuar festën më madhështore të kombit tonë. Sot kujtojmë me nderim dhe përkulemi me respekt para veprës dhe sakrificës të gjithë bijve dhe bijave të kombit tonë që sakrifikuan gjithçka në altarin e lirisë dhe të pavarësisë kombëtare.

Sot është një ditë feste dhe gëzimi, por ajo na gjen ndryshe nga çdo vit tjetër. Shqipëria dhe shqiptarët po përballen me sfidën e tejkalimit të pandemisë, e cila na ka marrë qindra bashkëqytetarë duke lënduar shumë familje, ndërkohë që mijëra të tjerë po vuajnë pasojat shëndetësore dhe shumë më shumë pasojat ekonomike dhe sociale të pandemisë. Në këto kushte, kjo ditë dhe kjo festë është një kujtesë e fuqisë dhe forcës së kombit tonë.

Unë jam i bindur në fuqinë dhe forcën e qytetarëve shqiptarë, në fuqinë dhe forcën tuaj për të qenë së bashku dhe për të tejkaluar së bashku pasojat e kësaj krize dhe pandemie dhe për të dalë më të fortë, më të bashkuar e më të vendosur. Jam i bindur se 28 nëntori tjetër do të na gjejë me një Shqipëri më të shëndetshme, më të mirë dhe më afër Europës. Ju uroj nga zemra gëzuar ditën e Pavarësisë! Gëzuar Ditën e Flamurit”, u shpreh Basha.

Në nderim të Ditës së Pavarësisë kryetari Basha zhvilloi homazhe dhe vendosi kurorë me lule edhe në permendoren e Ismail Qemalit, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke nderuar themeluesit e shtetit shqiptar në 28 Nëntor 1912 të cilët ngritën flamurin në Vlorë dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë.

baa