Pse duhet të biesh në kurthin që ministrja ka ngritur për ty dhe për djalin tënd?!

Nga Elona CASLLI

Braktise lodrën i dashur prind!

Përpiqem të të kuptoj ty prind, teksa për të katërtën ditë radhazi, më dërgon një mesazh në “messenger” ku më njofton se, Evis Kushi (se ministre e kam të vështirë ta quaj) ka hapur konkursin “Shqipëria ime” dhe ka shfaqur piktura nga nxënës të ndryshëm të Shqipërisë, ku mes të cilave do të përzgjidhet piktura më e mirë duke u bazuar nē numrin e pëlqimeve në Facebook.

Ti prind, më kërkon që unë të hyj në faqen e Evis Kushit dhe të pëlqej pikturën e djalit tënd dhe ta komentoj këtë të fundit, në mënyrë që djalit t’i shtohen numri i komenteve dhe i pëlqimeve dhe të ketë më shumë mundësi të shpallet fitues.

Nuk ka Ministre Arsimi në Evropë që bën një gjë të tillë dhe a e di pse?!

Për faktin e thjeshtë se hierarkia nuk ekziston veçse në pushtet por edhe në konkurse.

Një Ministreje Arsimi i takon të merret me politikat në arsim dhe me përmirësimin e tyre dhe jo me konkurse pikturash të nxënësve nga shkolla të ndryshme të Shqipërisë. E para kjo.

E dyta, jo për nga rëndësia por për nga renditja, konkursi në fjalë mund të jetë gjithçka veçse serioz nuk është. Si munden pëlqimet në Facebook të përcaktojnë vlerën e një pikture?!

Qoftë ky edhe pëlqimi im, që ti ma kërkon me aq ngulm.

Si mund të përdoret pëlqimi apo komenti në Facebook si njësi matëse e cilësisë?!

Minimalisht që ky konkurs të merrte një hije serioziteti, duhej të ngrihej një komision vlerësues me specialistët përkatës në këtë fushë.

Me këtë mënyrë vlerësimi i Evis Kushit e zhvlerëson pikturën e djalit tënd. E zhvlerëson kohën që ai ka shpenzuar për ta realizuar atë dhe të zhvlerëson dhe të fyen ty, qoftë si prind dhe qoftë si taksapagues.

E treta, teksa më kërkon mua të pëlqej pikturën e djalit tënd, a nuk e pyet veten se çfarë je duke bërë?! Jam krejt e bindur se të njëjtën gjë ke bërë edhe me të afërmit e tu në prani të djalit tënd. I ke telefonuar të gjithë të afërmit e tu dhe me ngulm u ke kërkuar komentin dhe pëlqimin tek faqja e Evis Kushit.

Në fund të këtij procesi, i dashur prind, çfarë ke fituar?! Çfarë mesazhi i ke dhënë djalit tënd?!

Çfarë ndryshimi ka mes teje dhe filozofisë rilindase e cila u kërkon të gjithë punonjësve në administratë të pëlqejnë dhe të shpërndajnë postimet e Edi Ramës?!

Ti do të më thuash se nuk je nisur me të keq dhe se doje thjesht t’i shkaktoje një çast lumturie djalit tënd, por a nuk mendon se po i shkakton veçse një çast artificial lumturie?!

Pse duhet piktura e djalit tënd të ceritifikojë vlerën e saj në facebook? Pse duhet djali yt të futet para kohe në këtë ingranazh të frikshëm, ku dikush vlerësohet nga pëlqimet dhe nga komentet që merr?! Pse duhet t’i numërosh me ankth pëlqimet dhe komentet që ka marrë piktura e djalit tënd?

Pse duhet ti të biesh në kurthin që Evis Kushi ka ngritur për ty dhe për djalin tënd? Pse?!

Evis Kushi po tallet me nxënësit e Shqipërisë. Ti je vetë dëshmitare që yt bir para se të futet në klasë luan në oborrin e shkollës me të gjithë shokët e tij dhe pastaj kur futet në klasë, vendos maskën për t’u ruajtur nga ata shokë me të cilët ka luajtuar dhe është përqafuar para pesë minutash.

Jo më larg se dje, Evis Kushi u tall prapë me ty prind i dashur, teksa të udhëzoi që fëmijën ta çoje apo mos ta çoje në shkollë, në varësi të ditëve dhe të javëve që mbanin numrin tek ose çift.

Konkursi “ Shqipëria ime” i dashur prind, nuk është gjë tjetër veçse një lodër që Evis Kushi ta ka dhënë në dorë që ti të mos grindesh.

Ty, me siguri të kujtohet koha kur yt bir ishte krejt i vogël dhe grindej. Ti i jepje lodrën e tij të preferuar dhe ai pushonte menjëherë.

Është e njëjta gjë. Evis Kushi po luan me emocionin tënd. Çdo prind është i brishtë para fëmijës dhe Evis Kushi po luan poshtër me brishtësinë e këtij emocioni.

Duke u marrë me pëlqimet dhe me komentet e pikturës së djalit tënd në faqen e Evis Kushit, ti harron se Evis Kushi ndërkohë po realizon pikturën më dramatike në telajon e arsimit shqiptar.

Post Scriptum- Sikundër do të shprehej Balil Gjini, çmimi i Evis Kushit nuk është “Çmim” por është “Përçmim”. Braktise lodrën i dashur prind dhe grindu për fëmijën tënd!