Nëntori i fundit nën zgjedhën e keqqeverisjes

Ardit GJINALI

Ditët përkatëse të kujtimit të çlirimit të qyteteve u kthyen në shfaqje të kryebashkiakëve me legjitimitet të diskutueshëm juridik dhe tërësisht të munguar politik- të tillët që rreken të vijojnë zakonin e vjetër të hipokrizisë politike që ka ndryshuar formën, por ka të njëjtin mentalitet dhe sjellje arkaike një-partiake që dëshmohet në një ngjyshmërinë e përfaqësimit politik në bashkitë dhe këshillat bashkiakë, gjithashtu.

Në secilin nëntor jemi dëshmitarë të politizimit të skajshëm, evokimit të ndasive politike dhe në monopolizimin politik dhe ideologjik të një lufte çlirimtare kombëtare që përfshinte të gjitha flukset intelektuale, nacionaliste, patriotike dhe popullore;- familje të njohura që kontribuan jo vetëm financiarisht , por gjithashtu në burime njerëzore në mbështetje të luftës çlirimtare ; të njëjtat familje u shpronësuan në emër të ideologjisë politike të ndryshme; të rinj dhe të reja atdhetarë të shkolluar në perëndim që ranë për liri ose të njëjtët që ishin në vijën e parë të luftës, i shpëtuan vdekjes nga pushtuesi , por gjetën ferrin përmes pushkatimit ose u dergjën burgjeve pas çlirimit të arritur dhe për të tillin që kishin luftuar; intelektualë të rënë në luftë, qëllimisht të harruar për shkak të ideologjisë së ndryshme politike; nacionalistë atdhetarë të vrarë nga pushtuesi, por të shpallur armiq nga politika e ndarjes për mëkatin e vetëm të orientimit të kundërt politik me regjimin e instaluar pas çlirimit.

Rrugëtimi i trishtueshëm i atdheut është përshkuar kryesisht në kalvarin pushtim territorial-keqqeverisje kombëtare; pushtimi territorial është uzurpimi i territorit politik dhe fizik të një vendi; është një plagë që nuk është e pashërueshme,- arritja e lirisë kombëtare territoriale është shërimi nga pushtimi territorial ; keqqeverisja është një sëmundje e thellë që tenton të prekë secilën qelizë të shoqërisë; një infeksion i shkaktuar nga aktorët politikë qeverisës që rendin pas qëllimeve afatshkurtra duke mënjanuar në pluhurin e harresës qëllimet e larta kombëtare; është uzurpimi i shtetit nga pushteti duke goditur çdo balancë pushteti dhe institucion garantist kushtetues; keqqeverisja është nëpërkëmbja e dinjitetit të qytetarit përmes cënimit të lirisë individuale përkatësisht ekonomike, politike, informimit, barazisë së munguar të shanseve, mediokritetit të pushtetarit, shërbim shëndetësor i mangët, arsim publik larg interesit të publikut, kërcënimi i jetës fizike së qytetarit për shkak të pasigurisë që mbizotëron në qytetet tona.

Keqqeverisja krijon ndasi të qëllimta politike dhe polarizim kombëtar për të mundësuar vazhdimësinë qeverisëse; është një ngrehinë politike që ndërtohet mbi propagandën, fshehjen e të vërtetës, realitetin e gënjeshtërt , median e kërcënuar dhe deformimin e vullnetit politik të qytetarit. Ky Nëntor dhe dimri në vazhdim është i acartë, i tillë jo vetëm për shkak të kushteve metereologjike; është i acartë për familjet që po kalojnë dimrin e dytë në çadra për shkak të hapave më të ngadaltë se të breshkës të proçesit të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar të një viti më parë; është i acartë për të sëmurët me COVID 19 që duhet të përballojnë individualisht secilën prej kostove të sëmundjes pavarësisht faktit që janë taksapagues të rregullt; është i acartë për secilin qytetar që ka pamundësi për të përballuar kostot financiare tësëmundjes dhe nuk e shikon kurrkund dorën e shtrirë të shtetit,

por dëgjon zërin kërcënues të antishtetit të mveshur me përgjegjësi ligjore dhe përfaqërfaqësim institucional; është i acartë për secilin qytetar që ka humbur vendin e punës dhe nuk po gjen një të tillë të ndryshëm , por po endet mes frikës së të tashmes dhe pasigurisë për të ardhmen; është i acartë për pensionistët që janë jo vetëm me të ardhura qesharake, por gjithashtu jetojnë vetëm për shkak të largimit nga vendi të fëmijëve të tyre si pasojë e pamundësisë së tyre për të siguruar një jetë normale në atdhe ; është i acartë për personelin shëndetësor që është në vijën e parë të betejës, por përballet në mungesa tërësore në infrastrukturë; është i acartë për secilin student që pagoi tarifën universitare , por duhet të ndjekë mësimin në versionin online; është i acartë për personelin e sistemit arsimor që është i ekspozuar ndaj infektimit , por që “ka frikë të sëmuret” sepse nuk e ka të garantuar mbajtjen e vendit të punës; është i acartë për sipërmarrjen private me të ardhura të mpakura , por që duhet të shlyejë brenda afatit çdo detyrim fiskal përballë shtetit.

Acari , i tilli aspak stinor, është keqqeverisja që nuk ka një emër të dytë; keqqeverisja cënon çdo qytetar pavarësisht secilës përkatësi të të njëjtit; nuk kursen askënd në shtrirjen e së keqes që shndërrohet nga individuale në shoqërore; një klientelë e ngushtë e aliazhit politiko-ekonomik shpëton nga keqqeverisja dhe pasojat e ushtrimit dhe instalimit të saj nuk e prekin, por mund ti përshtatet volitshmërisë së tyre.

28 Nëntori i lavdishëm për historinë e Shqipërisë së shumëvuajtur është një inspirim për një bashkim të madh që do të realizonte një ndryshim thelbësor; është inspirimi për tu çliruar nga zgjedha e keqqeverisjes së mbrapshtë ndaj një shoqërie të drobitur ku zbrazëtia e së tashmes, paqartësia e së ardhmes dhe shpopullimi i qëllimtë nuk mund të pengojnë lindjen dhe mbrujtjen e një shprese të re. 28 Nëntori është inspirimi i përbashkët për një Shqipëri të ditëve më të mira, me liri, punë dhe dinjitet. Bashkë sepse ka ende shpresë…