“Ç’a Nderi i Qarkut është ky…” Gjici argumenton vendimin

Këshilli i Qarkut të Kukësit, vendosi t’i heqë titullin qytetar nderi, Veton Surroit, me argumentin se ky i fundit ka patur qëndrime kundër UÇK-së.

Vetë kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka bërë një performancë me tone patriotike, sigurisht i pajisur me intelektin e thellë që e karakterizon në çdo prononcim mediatik, duke renditur argumentat kundër Veton Surroit.

“Ka marrë një titull për të mbrojtur Kosovën. Ai po bën fushatë politike, mediatike, kundër ushtarëve të UÇK-së. Cfarë nderi i qarkut është ky? Duhet ta heqim sot, t’ja heqim sot, të shkojë të na çojë në gjykatë po të dojë“, thotë Gjici me siguri absolute në vetëvete.

Menjëherë ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili e quajti këtë veprim, një “lajthitje kolektive”.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve“, deklaroi Rama.

Regimi i kryeministrit, bëri që edhe zelli patriotik i Gicit, të shuhet menjëherë. Ai u detyruar të deklarojë se është nxituar me vendimin për heqjen e titullit të Veton Surroit.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale“, shprehet Gici.

Kryebashkiaku thotë se kërkon ndjesë për “nxitimin” e Këshillit Bashiak, por video e publikuar në media, tregon se në fakt iniciatori i kësja nisme, ka qenë vetë ai. Por, pas reagimit të Edi Ramës, Gjici u fut urgjentisht në rresht dhe bëri një prapaktheu mjaft komike.

Kujtojmë se zoti Gici, është i njëjti njeri optimist dhe i kthjellët, që kur ekipi i tij, Kukësi hëngri plot 4 gola nga Wolfsburgu, deklaroi se ndeshja mund të dilte edhe barazim…

Ndiqeni më poshtë videon e performancë plot pathos të kryebashkiakut, përpara se Edi Rama ta fikte me dy fjali në Twitter!