7 ambulanca në pritje te spitali Covid-2, çfarë po ndodh?

Teksa vendi po përballet me shifra në rritje të rasteve me COVID-19, urgjenca e spitalit ‘Shefqet Ndroqi’ po përballet me fluks qytetarësh.

Në mesditën e të premtes para Urgjencës së Sanatoriumit numëroheshin 7 autoambulanca të parkuara që kishin të paktën 30 minuta deri në 1 orë pritje për të dorëzuar pacientët e sëmurë në gjendje të rënduar nga COVID-19.

Ka mjaftuar stacionimi i disa mediave para portës metalike të urgjencës që pjesa më e madhe e pacientëve të transportoheshin nga mjeti në urgjencë.

Pamjet e filmuara nga News 24 tregojnë se si disa autoambulanca parkohen larg sheshpushimit, derisa t’ju vijë radha.

Burime për ‘News 24’ thonë se koha e pritjes së pacientëve nga Urgjenca e Sanatoriumit ne pavion shkon nga disa orë deri në 3 ditë në varësi të shtretërve që lirohen dhe gjendjes së pacientit. Që prej datës 15 nëntor spitali më i madh covid, Sanatoriumi numëron 220 të shtruar aq sa ka edhe shtretër.